Kompanisë së Martin Berishajt i dalin të hyrat marramendëse: Veç në 2017-n i mori gati një milion

Prishtinë | 03 Maj 2022 | 16:06 | Nga Ekonomia Online

Afër dy milionë euro dyshohet se kanë hyrë në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020.

Sipas artikullit të Reporterit, ndonëse u themelua nga gjysma e dhjetorit të vitit 2016, biznesi në Mal të Zi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci në të njëjtin vit rezulton se ka qarkulluar rreth 100 mijë euro të hyra.

“Derisa viti më i begatshëm për “MB Consulting” me Martin Berishajn të vetmin pronar dhe të vetmin të punësuar, rezulton të jetë viti 2017 kur biznesi i tij regjistroi rreth 1 milionë Euro të hyra”, thuhet në artikull.

Po ashtu, sipas mediumit në fjalë, mbi gjysmë milioni të parave të derdhura në xhirollogaritë e këtij biznesi, sipas një raportimi në Slloveni, kanë hyrë nga Serbia, përmes filalit të GEN-I në Beograd – një rrjet tregtie energjetike nga Sllovenia, i shtrirë në tërë rajonin.

Berishaj nuk ka folur nëse edhe pjesa e tjetër e të hyrave kanë të njëjtën prejardhje.

Të dhënat e deklaruara tregojnë se biznesi i Martin Berishajt në Mal të Zi, – “MB Consalting”, me vetëm ambasadorin kosovar të regjistruar si pronar dhe me vetëm një punonjës të deklaruar në të, në vitin 2016 – ndonëse u regjistrua 19 ditë para përfundimit të tij – pati fiks 99,793.00 euro të hyra vjetore.

Ndërkaq, “MB Consulting” në vitin 2017 kishte 900 mijë e 666 euro të hyra vjetore.

Në këtë periudhë, biznesi e kishte të deklaruar vetëm një punonjës në të, e ai rezulton të jetë Drejtori Ekzekutiv i kompanisë dhe pronari Martin Berishaj.

Në vitin 2018, biznesi i regjistruar 100% në pronësi të Martin Berishajt, në shtetin malazez deklaroi 368,738.00 euro të hyra vjetore.

Një vit më vonë, “MB Consulting” rezulton se pati një rritje të lehtë të hyrave, duke shkuar në 382,547.00 Euro të hyrat vjetore për vitin 2019.

Ato sërish ranë në vitin pasues, atë 2020, në 233,664.00 Euro të hyra vjetore. Ky edhe është viti i fundit kur ky biznes ka deklaruar të hyra vjetore në euro.

Dokumentet e pasqyrave financiare të deklaruara në Administratën Tatimore të Malit të Zi për vitin 2021, tregojnë se Berishaj nuk ka deklaruar fare të hyra në këtë vit, periudhë kur drejtuesi i Institutit për Studime Shqiptare në Slloveni u kthye në Kosovë për angazhim politik dhe diplomatik.

Ish-anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes që u emërua ambasador i Kosovës në Zagreb vitin e kaluar është implikuar në një skandal të madh financiar për të cilin ka raportuar mediumi slloven Planet Tv.

Berishaj ka shtetësi sllovene dhe para dekretimit si ambasador në Kroaci atij i është dhënë shtetësia e Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani.

Të ngjashme