Kosova në CEFTA – sfidat drejt përfaqësimit të plotë

Prishtinë | 07 Dhj 2021 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Ballkan ka publikuar raportin “Përfaqësimi i Kontestuar i Kosovës në CEFTA – Një analizë Politike dhe Juridike”, e cila ofron një pëmbledhje të detajuar të sfidave të Kosovës në CEFTA.

Kosova, i është bashkuar CEFTA-s në vitin 2007 dhe ende përfaqësohet përmes UNMIK-ut. Pas shpalljes së pavarësisë, Kosova intensifikoi rezistencën ndaj përfaqësimit të UNMIK-ut duke mos marrë pjesë në takimet ku kërkohej pjesëmarrja e UNMIK-ut. Në anën tjetër, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina shtuan përpjekjet e tyre për të penguar pjesëmarrjen e Kosovës dhe bllokuan hyrjen dhe tranzitin e produkteve të Kosovës.

Në kuadër të procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga BE-ja, u jetësua Marrëveshja për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal (Marrëveshja e vitit 2012). Kjo marrëveshje lehtëson pjesëmarrjen e Kosovës në organizata rajonale, duke i mundësuar asaj që të përfaqësohet me denominimin ‘Kosova*’. Pas vitit 2012, Kosova arriti të zëvendësojë UNMIK-un me denominimin e ri në disa iniciativa: Zona e Përbashkët Evropiane e Aviacionit (ECAA) dhe Komuniteti i Energjisë, por jo në CEFTA.

UNMIK-u, në fakt, pushoi së marruri pjesë në takimet e nivelit teknik të CEFTA-s, por vazhdon të marrë pjesë në takimet vendimmarrëse (takimet e Komitetit të Përbashkët). Kosova është përpjekur pa sukses, për të hapur çështjen e përfaqësimit në formate të ndryshme të bashkëpunimit rajonal, megjithatë ndryshimi i përfaqësimit nuk ka ndodhur dhe ai mbetet sfidues ende.

Tre shtete anëtare të CEFTA-s (Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia) ende refuzojnë përfaqësimin e plotë të Kosovës në CEFTA, qeveria e Kosovës nuk arriti të angazhohej në mënyrë proaktive në proces, dhe BE-ja kurrë nuk e ka trajtuar këtë çështje me prioritet, edhe pse është thellësisht e përfshirë në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe të Serbisë dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Kosova duhet të jetë në gjendje të përfaqësojë veten në forumet rajonale dhe CEFTA është një ndër iniciativat më të rëndësishme. Qeveria duhet të punojë në fronte të ndryshme për të mobilizuar mbështetjen për ndryshimin e preambulës, nenit 1 dhe nenit 4 të Marrëveshjes. Kjo do të përfshijë avokimin në nivel ndërkombëtar, evropian dhe rajonal, përpara se të ndërmerren hapa konkretë si inicimi i ndryshimit të Marrëveshjes.

Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konsistente në dialogun me Serbinë për të kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë dhe për të avancuar drejt një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Roli i BE-së është thelbësor në këtë proces. Angazhimi i BE-së është kanali më premtues që Kosova mund të përdorë për të hequr UNMIK-un si përfaqësuesin e saj në CEFTA.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme