Ish-ambasadori Bosch për presidentin: Për të mirën e vendit bëni kompromis, zgjedhjet s’do e përmirësojnë situatën

Prishtinë | 23 Pri 2026 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch, është deklaruar lidhur me situatën politike në vend, rreth zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, duke thënë se do të ishte keq për këtë të fundit, nëse s’do ‘’të jetë në gjendje të zgjedhë një president’’.

Bosch, ka thënë edhe se, zgjedhjet e reja nuk do ta përmirësojnë situatën, pasi që, siç ka deklaruar ai, situata do të jetë ngjashme me tani.

Ish-ambasadori, ka bërë thirrje që ‘’për të mirën e vendit’’ të arrihet kompromis.

Postimi:

Do të ishte keq për Kosovën që të mos jetë në gjendje të zgjedhë një president dhe zgjedhjet e reja nuk do ta përmirësojnë situatën, pasi ajo do të jetë e ngjashme me tani nëse partitë sërish nuk janë të gatshme të lëvizin.

Për të mirën e vendit: kompromis!

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar një seri zgjedhjesh të njëpasnjëshme nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 28 prill, raporton Koha.net.

Megjithëse Kurti nuk njoftoi për përpjekje të reja, ai akuzoi partitë opozitare për mungesë interesi për një zgjidhje.

“Dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, pasi do të duhet të shkojmë sërish në zgjedhje të reja, dhe pas tyre përsëri në zgjedhje të reja, sepse nuk e di si mund të sigurojmë 80 deputetë,” deklaroi Kurti.

Në përpjekje për të zgjidhur ngërçin, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, shprehu gatishmëri për të hequr dorë nga posti i kryetares së Kuvendit në favor të partive opozitare.

Megjithatë, Haxhiu shprehu gjithashtu skepticizëm për gatishmërinë e subjekteve opozitare për të arritur një zgjidhje.

“Prandaj, mendoj se me këtë qasje nuk ka përkushtim, nuk ka vullnet për t’i dhënë vendit një president me mandat pesëvjeçar, dhe mua më duket si déjà vu. Nëse flasim për situatën aktuale dhe e krahasojmë me atë që ndodhi vitin e kaluar, duket se është e njëjta situatë,” tha Haxhiu.

Sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, situata i ngjan ngërçit të vitit të kaluar. Megjithatë, sipas tij, ky është modeli i sjelljes së Kurtit.

“Vitin e kaluar ishte çështja e kryetarit të Kuvendit, këtë vit çështja e presidentit, më herët çështja e qeverisë — është gjithmonë diçka ku z. Kurti ka një qëllim, por kurrë nuk e ndryshon atë; ai ndryshon metodën, por jo kërkesën,” tha Haziri, përcjell Express.

Të ngjashme