Kurti takon Bordin e ri të Postës, thotë se kjo ndërmarrje do të rimëkëmbet pas pandemisë

Prishtinë | 18 Pri 2020 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bashkë me Ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, znj. Rozeta Hajdari, vizituan Postën e Kosovës. Aty u takuan me Kryesuesin e ri të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve, z. Mentor Arifajn dhe u.d. Kryeshefin ekzekutiv të Postës, z. Sali Morinën, si dhe me anëtarët tjerë të Bordit dhe Menaxhmentit ekzekutiv.

Gjatë takimit, Kryeministri në detyrë Kurti u njoftua nga Kryesuesi i Bordit të Përkohshëm dhe u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të Postës mbi gjendjen dhe kapacitetet e kësaj ndërmarrjeje publike, dhe se si ajo është duke iu përshtatur vazhdimisht kërkesave të qytetarëve në ofrimin e shërbimeve edhe në kohë pandemie. Përderisa kërkuan mbështetjen nga Qeveria, ata propozuan edhe ide konkrete të thellimit të bashkëpunimit në mes Postës dhe institucioneve qeverisëse, duke ofruar shërbime të veçanta shtesë institucioneve qeverisëse lokale dhe qendrore.

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se Posta është një institucion shumë i rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe sigurisë nacionale. Për atë, ne jemi shumë të interesuar për të vendosur themelet e një bashkëpunimi edhe më të afërt në mes Postës dhe Qeverisë. Posta, e cila që nga vitit 2012 vazhdon të shënojë humbje vjetore nga viti në vit, ka nevojë për një strategji të qartë për t’u rimëkëmbur. Prandaj, Posta duhet të përgatitet që, fillimisht të përfitojë nga Pakoja Emergjente Fiskale, e hartuar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave dhe Transfereve, dhe më pas edhe nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike e cila do të hartohet shumë shpejt, në mënyrë që bashkë me rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë të rimëkëmbet edhe Posta. Që një gjë e tillë të ndodh, përgatitja duhet të filloj që sot.

Në fund, Kryeministri në detyrë Kurti dhe ministrja në detyrë Hajdari i uruan Bordit të përkohshëm të Drejtorëve dhe Menaxhmentit Ekzekutiv punë të mbarë.

Të ngjashme