Limaj: Mungesa e kujdesit institucional ka dëmtuar prodhuesit vendës

Prishtinë | 16 Tet 2018 | 13:12 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, tha se Qeveria e Kosovës është e angazhuar që përmes ndërtimit të legjislacionit të ndihmojë ekonominë e vendit, raporton Ekonomia Online.

Por sipas tij, mungesa e kujdesit institucional ka dëmtuar prodhuesit vendës, duke shtuar se janë duke punuar që t’i stimulojnë bizneset përmes politikave fiskale e lehtësirave.

Këto komente ai i bëri në tryezën e Organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës ku u diskutua lidhur me Ligjin për TVSh-në dhe Ligjin e Punës dhe Pushimin e Lehonisë.

“Është momenti fundit kur institucionet e tilla si oda e afarizmit të jenë pjesë përmes e hartimit të ligjeve dhe politikave ekonomike të Kosovës. Është momenti i fundit ku vendi ynë duhet me pas një pikënisje të politikave të qarta. Që nga dita e parë Qeveria ka qenë e fokusuar që ruajtja dhe hapja e vendeve të reja të punës të jenë prioritet i Qeverisë”.

“Ne jemi pjesë e një tregu të madh evropian dhe interes i joni është tregu i lirë. Mungesa e vetëdijes, mungesa e dashurisë për këtë vend na ka sjellë në situata ku prodhimi vendor i është ekspozuar një tregu jo të barabartë. Mungesa e kujdesit institucional ka sjellë pasoja”.

“Nuk është e lehtë në Kosovës të ndërtosh një kornizë ligjore sepse në Kosovë ka pas persona që kanë pretenduar që i gjithë shteti të punoj për një njeri dhe kjo ka pas pasoja. Ne edhe sot kemi probleme me informalitetin sepse ka shumë njerëz që punojnë edhe nuk janë të lajmëruar. Ne duhet t’i stimulojmë bizneset që të lajmërojnë punëtorët e tyre”, tha ai.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica tha se të gjithë akteret duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të zbutet numri i papunësisë.

Ai tha se aktualisht janë të papunë të paraqitur rreth 100 mijë persona, raporton EO.

“Ne si ministri jemi në funksion të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve. Ne si ministri po ballafaqohem me shkallë të lartë të papunësisë rreth 30%. Po të bëhet një analizë e thellë e shohim se janë të rinj dhe të reja. Kemi shifër rreth 100 mijë të papunë nga profile të ndryshme”.

“Nga takimet me biznesmen kemi parë që bizneset kanë pas nevojë për punëtor dhe këtu diçka nuk po funksionon. Papunësia nuk ka lind në shtatorin e vitit të kaluar kur e mora unë mandatin, por ka përcjellë gjenerata e gjenerata”.

“Ne duhet të bashkëpunojmë në mënyrë që të mos kemi situata të tilla dhe aftësimi profesional është një nga zgjidhjet që mund ta zbus numrin e papunësisë”, tha ai.

Skender Krasniqi nga Oda Afarizmit të Kosovës tha se pagesën e lehonisë duhet të marrë nën përgjegjësi shteti 100%. Madje ai tha se kanë përgatitur një propozim konkret si të rregullohet kjo çështje.

Të ngjashme