Lluka: Gjashtë ndërmarrje publike janë në gjendje të keqe, Telekomi mbetet sfidë kryesore

Prishtinë | 12 Shk 2019 | 11:46 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka shtyer për një ditë tjetër shqyrtimin e Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2017-të, raporton Ekonomina Online.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Valdrin Lluka, tha se 10 ndërmarrje nga 16 në tërësi operojnë me fitim dhe janë të qëndrueshme ndërkaq 6 nga to nuk janë në gjendje të mirë.

“Në ligjin e ri për ndërmarrje publike s’parashihet që raporti me ardh çdo 6 muaj dhe kjo e rrit raportimin e ndërmarrjeve publike. 4 ndërmarrje në vitin 2018-të janë auditu më shumë. Në vitin 2017-të edhe pse ka pas një punësim të vogël, ndërmarrjet kanë operuar më mirë. Në vitin 2017-të kanë qenë 10 ndërmarrje që kanë operuar mirë krahasuar me vitin 2016-të. Janë 5 kompani që kanë operuar me humbje. Subvencionet janë zvoglu për 5 milionë euro ndërkaq investimet kapitale kanë rënë”, ka thënë Lluka.

Ministri Lluka tha se Telekomi vazhdon të jetë sfidë kryesore.

“Telekomi vazhdon të jetë sfidë kryesore. Ne jemi në proces të përgatitjes së terrenit për privatizim të Telekomit që synimi jonë është që të ristrukturohet. Posta vazhdon të jetë me të njëjtat probleme, nuk ka pasur rritje të punësimit. Posta vazhdon të mbetet e varur në qiranë që paguan Telekomi dhe me vështirësitë që ka ky i fundit do t’i shkaktoi probleme postës. 10 prej ndërmarrjeve janë të qëndrueshme, 6 janë mjaft keq”, tha Lluka.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se është e paarsyeshme që të diskutohet raporti i vitit 2017-të kur ekzistojnë raportet e vitit 2018-të.

“Më duket komplet e paarsyeshme ta diskutojmë raportin e vitit 2017-të kur jemi në vitin 2019-të. Nuk ka kurrfarë kuptimi me diskutu për vitin 2017-të duke e ditë e duke pas informata se çka ka ndodhë në vitin 2018-të. Ne e dimë që vetëm muajt e fundit në Telekom numri i punëtorëve është rritë për 100”, tha ajo.

Lluka tha se kredia prej 25 milionë euro për Telekomin nga Banka Botërore merret me garancë nga qeveria mirëpo paguhet nga Telekomi.

“Sa i përket kredisë nga Banka Botërore për Telekomin, ajo i jepet Telekomit, ka mundësi qe i kërkohet shtetit garancion, por kredia do ti jepet Telekomit. Njësia për monitorimin e ndërmarrjeve bënë raportin. Sa i përket kredisë po flasim për kredi investive. 25 milionë nëse jepen është shuma maksimale dhe do të jetë për fusha kapitale  dhe jo për shpenzime operative”, tha Lluka.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se të gjitha problemet e ndërmarrjeve publike vijnë nga keqmenaxhimi dhe mbushja me militantë partiak.

Ai e ka quajtur të pakuptimtë marrjen e kredisë për Telekom pasiqë sipas tij kjo e fundit po planifikon të privatizohet.

“Mendoj qe problemi më i madh sa i përket ndërmarrjeve publike është ideologjia e qeverisë. Ideologjia e saj është që ndërmarrjet publike nuk funksionojnë dhe gjitha problemet na rrjedhin prej këtyre koncepteve të qeverisë. Shkatërrimi i PTK-së vjen nga keqmenaxhimi dhe mbushja me militantë partiak. Ajo që duhet të bëjë qeveria është ta heq keqplanifikimin dhe ndikimin politik. Është e dhimbshme se si Telekomi është zhvlerësuar. Raporti për ndërmarrje publike duhet me qenë më shumë se kontabilitet. Sa i përket kredisë qysh është e mundshme me marr kredi nëse qeveria po mendon me privatizu. 25 milionë euro kredi për një ndërmarrje që t’i je i bindur që ka me falimentu. Kjo po bëhet veç për t’i zgjat rrogat e militantëve”, tha Konjufca.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet në mënyrë që të jenë të bashkangjitura edhe me raportin e kënaqshmërisë dhe raportet financiare.

“Mos me diskutu sot ne për 2017-ten, unë kërkova me pas raportin e kënaqshmërisë dhe raportet zyrtare të menaxhmenteve për bordin dhe raportin financiar”, ka thënë Zharku.

Të ngjashme