Murati thotë se Kosova po e kalon më së lehti krizën, opozita e akuzon për shpërndarje të panevojshme të parasë publike

Prishtinë | 30 Sht 2022 | 12:02 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se Kosova është me fat që po e tejkalon më së liri dhe lehti në rajon kjo krizë me energji elektrike, raporton Ekonomia Online.

Gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria, Murati ka thënë se të gjitha shtetet tjera fqinje, kanë ndarë buxhetin më të lartë për këtë çështje.

Ai ka shtuar se në vend kanë arritur të mbajnë tarifat më të ulëta se shtetet e tjera.

“Si shtet e kemi fatin që po e tejkalojmë këtë krizë më lehtë se shtetet tjera të rajonit. Tashmë shtetet tjera kanë ndarë më shumë se ne, madje edhe ngritjen e çmimeve e kanë bërë”, tha ministri.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në pyetjen e tij kërkoi të di se me çfarë baze ligjore janë alokuar këto mjete.

“Mbi çfarë baze ligjore që i keni alokuar këto mjete të shkojnë tek operator ekonomik KESCO, dhe nëse këto mjete përfundojnë paarsyeshmëri, mendoj se është shkelje”.

“Në bazë të asaj që e dimë se pas alokimit në ministri të Ekonomisë, ende nuk e kanë dhënë sqarimi se përse janë bërë këto mjete”, tha Lekaj.

Akuza në drejtim të ministrit, pati sërish deputeti PDK-së, Abelard Tahiri, raporton EO.

“Gjatë periudhës që janë ngritë tarifat e energjisë elektrike, Kosova nuk është prekë nga kriza energjetike. Nga të dhënat që kemi marrë nga sinjalizuesit, konsumi jonë në atë kohë, është mbuluar nga prodhimi i brendshëm”.

“Ne si opozitë kemi konsideruar se ngritja e çmimit ka qenë e paarsyeshme dhe subvencionimi i energjisë poashtu ka qenë i paarsyeshëm”, tha ai.

Ndërsa ministri Murati tha se sa i përket muajve dhe pagesës në tërësi, të dhënat mund t’i kërkojnë më vonë, pasi siç tha ato nuk i posedon për momentin.

“Të dhënat nuk i kam këtu por mund t’i kërkoni më vonë, pra nuk i kam njëherë sepse nuk e mbuloj si fushë”.

“Si Ministri e Financave, roli kyç është të sigurojmë financimin e vendimeve dhe prioriteteve të qeverisë. Sa i përket formës, mekanizmave u takojnë akterëve përkatës që mbulojnë fushëveprimet e caktuara”, tha tutje ministri.

Të ngjashme