Serbët optimistë për blerjen e “Telekom Albania”

Prishtinë | 03 Tet 2018 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Qëllimi i “Telekom Serbia” për të marrë pjesë në garën e blerjes së “Telekom Albania” është përshëndetur nga ministri serb i Tregtisë dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajiq, i cili e konsideron një lëvizje të mirë, por edhe mjaft të logjikshme që flet vetë për fuqinë dhe potencialin e kësaj kompanie.

“Është e rëndësishme për ne që “Telekom Serbia” demonstron aftësinë e saj për të investuar edhe në tregje të tjera rajonale si Shqipëria përveç atij të Malit të Zi dhe Bosnjës, ku është tashmë prezentë”, tha Lajiq për mediat serbe, shkruan Tch.

Ai beson se po arriti të blejë “Telekom Albanian”, kompania serbe mund të kthehet në një lider të telekomunikacionit në Ballkan, ndonëse e pranon se është ende herët të flitet për rezultatin.

“Nuk e dimë akoma me saktësi se cilët janë konkurrentët e tjerë, ka pohuar ai për të përditshmen beogradase; për momentin është një lojë pa një përfundim të qartë, shtoi ministri duke theksuar se konsolidimi i tregut është i një rëndësie kyçe në ditët tona kur siç thotë dhe vetë, vetëm lojtarët globale apo rajonale mund të mbijetojnë në tregun e telekomunikacionit”, tha Lajiq.

Dekani i Fakultetit të inxhinierisë elektrike Branko Kovaçeviq thotë se shanset që “Telekom Serbia” ta fitojë tenderin në Shqipëri janë të mira duke pasur parasysh faktin që mes dy vendeve ka përgjithësisht marrëdhënie të kënaqshme tregtare pavarësisht politikës.

Mentaliteti i shqiptarëve nga ana tjetër është i ngjashëm me tonin, nënvizoi Kovaçeviq, “dhe në biznesin për të cilin po flasim, kjo është diçka mjaft e rëndësishme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme