Duke ofruar mbështetje të pakushtëzuar për Azerbajxhanin në Nargono-Karabah, Qeveria e Turqisë po tendos forcat dhe buxhetin e saj.
Prej rishpërthimit të armiqësive në Nagorno-Karabah javën e kaluar ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, retorika e Ankarasë ka ndryshuar dramatikisht nga ajo që po e ndjek krejt pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare. Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, madje edhe Rusia e Irani kanë bërë thirrje për armëpushim. Turqia, në anën tjetër, mbështet pa rezervë Azerbajxhanin, dhe ka thënë se pa një zgjidhje të qëndrueshme i pakuptimtë është edhe armëpushimi.
Kthesa e madhe e politikës së jashtme
Deklarata e Qeverisë se Turqia do të mbështeste plotësisht Azerbajxhanin me solidaritet të pashoq dhe se qëndron prapa Azerbajxhanit “çfarëdo që preferon”, ilustron një ndryshim më të gjerë në politikën e jashtme turke të prirë prej humbjes së besimit në diplomacinë ndërkombëtare, gatishmërinë më të madhe për t’u përfshirë drejtpërdrejt në konflikte rajonale me pritjen për të krijuar relevancë dhe ndikim, dhe një thirrje për të ngritur popullaritetin e brendshëm nëpërmjet këtyre lëvizjeve.
Qëndrimi i Turqisë ndaj Nagorno-Karabahut së pari mund të shpjegohet nëpërmjet lidhjeve emocionale dhe identitare ndërmjet Turqisë dhe Azerbajxhanit. Turqit dhe azerët flasin gjuhë të lidhur ngushtësisht ndërmjet vete si pjesë e familjes më të madhe të turqishtes që shtrihet përgjatë krejt Azisë Qendrore. Pos kësaj, Turqia ka qenë e vendosur në kritikat e veta kundër qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare.
Prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, Kombet e Bashkuara dhe fuqitë perëndimore kanë reaguar vazhdimisht ashpër kundër përpjekjeve të shteteve-kombe, si Iraku nën presidentin Saddam Hussein ose Rusia nën drejtimin e presidentit Vladimir Putin – për të marrë territor me përdorim të forcës. Turqisë ia ha mendja se në rastin e Nagorno-Karabahut reagimi ndërkombëtar më shumë ka qenë i përzier dhe i drejtpërdrejtë ndaj një standardi të dyfishtë.
Dështimi i Grupit të Minskut
Konflikti në territorin azer degjeneroi në luftë të armatosur ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë në vitin 1991. Mbaroi me pushtim të rajonit, madje edhe të zonave përreth prej njësiteve armene, duke nxitur zhvendosje të brendshme të rreth një milion banorëve. Territoret e pushtuara korrespondojnë me 20 për qind të hapësirës së përgjithshme tokësore të Azerbajxhanit, duke shtyrë Turqinë të mbyllë kufirin e vet me Armeninë më 1993. Megjithatë Ankaraja argumenton se pavarësisht këtij rezultati tragjik, shumë besim i ishte besuar mekanizmit jofunksional të Grupit Minskut të prirë prej Francës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i nxitur palët që të afroheshin për të arritur një marrëveshje.
Mbështetja politike e Turqisë Azerbajxhanit vjen në kohën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, dhe veçmas ushtarak. Turqia ka qenë qenësore në reformën e ushtrisë azere me këshilltarë dhe programe të rregullta trajnuese, si dhe me transferim të aseteve strategjike, si dronët e armatosur.
Azerbajxhani ka pasuruar edhe më shumë arsenalin e vet duke kërkuar platforma të ngjashme edhe nga Izraeli. Ndikimi është bërë i dukshëm prej se nisi fushata e fundit ushtarake në Nagorno-Karabah, me njësitet azere që kanë përmirësuar dukshëm performancën krahasuar me konfrontimet e mëhershme.