Elvira Dones e zhgënjyer me Ramën: Erdhën në pushtet si qeveria e Rilindjes, sot makthi i shqiptarëve

Prishtinë | 16 Maj 2020 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Shkrimtarja Elvira Dones, një mbështetëse e Edi Ramës në opozitë, shprehet e zhgënjyer me qeverisjen e këtij të fundit. Dones, me origjinë shqiptare dhe e njohur si mikeshë e kryeministrit shqiptar, përmes një shkrimi opinion në rrjetet sociale, thotë se Edi Rama dhe Rilindja i zhgënjeu shqiptarët duke iu hequr shpresën. Referuar debatit për teatrin Kombëtar, ajo përmend rastin e protestës së studentëve dhe thotë se edhe një të ngelet, do të tregojë se Shqipëria nuk ka vdekur.

“Erdhën në pushtet si shpresa e re e Shqipërisë. I vunë vetes një emër të bukur e domethënës: Rilindje. U treguan të shpejtë në ngrënien e premtimeve. Rilindja u zbeh e u zvordh e u nëpërkëmb me shpejtësi rrufeje. Sot kanë vënë një vend e popullin e tij në gjunjë. Ia kanë vrarë frymën, ia kanë lodhur shpirtin përtej çdo imagjinate.

I kanë hedhur para syve popullit ca ngjyra e ca lulka, ca imazhe të filmuara e orkestruara me mjeshtëri artistike. Fasada të zbrazëta, gënjeshtra në ditë të diellit imponuar me agresivitetin e një bande prej Far West.

Po s’na u binde, e di se ç’të pret. Nëse nuk je dakord, o popull, është faji yt që nuk e sheh madhështinë tonë, sepse nuk ke instrumentat për të kuptuar. Ne jemi kaq përpara në vizion, sa ti o popull bukëshkalë nuk na rrok. Kështu që rri urtë, nëmospo të bëjmë të vdesësh, pa të vrarë me plumb. Të vrasim me kotheren e bukës, me pjatën e gjellës në darkë për fëmijët. Të shantazhojmë e frigojmë me vëllain a motrën që ta heqim nga puna, të djegim tokën rreth e rrotull. Erdhën në pushtet si qeveria e Rilindjes. Sot janë Qeveria e Riciklimit, të shumëanshëm, Qeveria e Parave të Qelbura. As më shumë as më pak.

Sot janë makthi i një vendi, i çdo vendi që do kish fatkeqësinë t’i kish sipër kokës. Por me pasqyrën këta njerëz kanë një marrëdhënie të çuditshme. E shohin veten të bukur.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Kush nuk i sheh kështu është idiot, antishqiptar, naiv, i shitur tek opozita – në më të mirën e rasteve. Kush nuk ua bën të lehtë yryshin e gllabërimit, duke ua bërë t’u hasë sharra në gozhdë – duke i bërë shumë nervozë – etiketohet si trushpëlarë, i çmendur e epitete të tjera, njëri më me spec se tjetri. Studentët më parë dhe qëndrestarët e Teatrit Kombëtar sot treguan e po tregojnë se Shqipëria ka ende një puls që rreh.

Edhe sikur vetëm njëri prej qëndrestarëve të mbetet në atë fushë beteje, ai njeri i vetëm do t’ju tregojë, zotërinj, se Shqipëria që po mbysni nuk ka vdekur. Jo ende”, shkruan shkrimtarja, e cila prej vitesh nuk jeton në Shqipëri.

Sakaq, tensionet për Teatrin Kombëtar kanë kapur majat. Një ditë më parë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit depozitoi dje një padi në Prokurorinë e Tiranës për 3 inxhinierë të Institutit të Ndërtimit, të cilët kanë firmosur akt-ekspertimin, ku sugjerojnë shembjen e godinës së teatrit. Ndërkohë, mbrëmjen e 14 majit, Këshillimi Bashkiak i Tiranës mori fshehurazi vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar.  Ky vendim erdhi pasi një javë më parë Këshilli i Ministrave mori vendimin që Teatri Kombëtar të kalonte në pronësi të Bashkisë Tiranë. Këto vendimet janë kundështuar nga opozita, e cila është shprehur se do të bëjë rezistencë.  Për këto grumbllime janë proceduar shumë persona, mes tyre edhe Lulzim Basha.

Të ngjashme