Epidemiologu kosovar tregon pse po vdesin të infektuarit me Covid-19 në Kosovë

Prishtinë | 11 Sht 2021 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Vonesat e paraqitjes me kohë te mjeku, mosvaksinimi kundër COVID-19 dhe mungesa e stafit shëndetësor në spitalet, sipas epidemiologut, Isuf Dedushaj janë disa prej arsyeve pse po vazhdon të ketë numër të lartë të vdekjeve në Kosovë nga koronavirusi.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Dedushaj thotë se të infektuarit me koronavirus duhet të paraqiten me kohë te mjeku, pasi në të kundërtën, pasojat mund të jenë shumë të rënda.

“Vetëm kur ata (pacientët) kanë nevojë për oksigjen ose iu rëndohet shumë gjendja, në shumicën e rasteve kërkojnë ndihmë mjekësore. Mandej, oksigjeni në gjak iu bie shumë dhe gjendja e tyre keqësohet për së tepërmi. Por, (arsye tjetër) është edhe numri i vogël i ekipeve mjekësore”, thotë epidemiologu Dedushaj.

“Në trajtimin e të sëmurëve është dashur që një motër mjekësore të jetë të paktën 24 orë pranë çdo pacienti, në rastet kur pacientët janë me oksigjeno-terapi. Edhe arsye tjetër është që nuk janë të vaksinuar. Njerëzit që janë të vaksinuar nuk vdesin”, shton ai.

Të ngjashme