EULEX-i me mision këshillues pas 14 qershorit

Prishtinë | 22 Maj 2018 | 15:06 | Nga

Pas dhjetë vjetësh misioni i BE-së për polici dhe drejtësi EULEX e përfundon mandatin aktual për të vazhduar me një mandat tjetër, por kësaj radhe vetëm me rol këshillues për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se “gjatë këtyre viteve në Kosovë, sukseset e EULEX-it dhe të Kosovës janë të përbashkëta dhe në funksion të ndërtimit të besimit të qytetarëve për institucionet e Kosovës”.

Zëdhënësja e misionit EULEX, Donika Gashi i tha DW se formati i saktë e misionit EULEX pas datës 14 qershor akoma nuk dihet, sepse për të do të vendoset nga shtetet anëtare të BE-së.

“Për periudhën pas qershorit 2018, formati i saktë dhe numri i punonjësve të EULEX-it janë në procedurë shqyrtimi dhe kjo varet nga vendimi i shteteve anëtare. Parashihet se më nuk do të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it në sistemin gjyqësor të Kosovës pas datës 14 qershor kur edhe mandati aktual skadon. Gjithashtu parashihet që misioni do t’i mbajë disa aktivitete monitorimi, në veçanti në lidhje me lëndët gjyqësore që tashmë janë në proces të transferimit tek gjyqësori i vendit”, thotë Donika Gashi.

Të gjitha lëndët kalojnë nga EULEX tek organet kosovare të drejtësisë

“Ne po hyjmë në fazën transitore, që do të thotë transferimin e të gjitha lëndëve që ka qoftë në gjykata apo prokurori. Kjo fazë do të thotë që çdo gjë që ka misioni i EULEX-it që ndërlidhet me institucionet e Kosovës do të barten në institucionet e drejtësisë”, tha ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri duke njoftuar për bartjen e të gjitha lëndëve nga misioni EULEX tek organet kosovare të drejtësisë.

Misioni EULEX në dy tre vitet e fundit është përballur me akuza për korrupsion nga vetë zyrtarët e misionit. Madje Bashkimi Evropian pati formuar një komision të posaçëm për të hetuar këto pretendime. Megjithatë, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri,  thotë se “pavarësisht akuzave për korrupsion, në këtë mision ka pasur njerëz që janë angazhuar në fuqizimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”.

Mediet në Prishtinë shkruajnë se pas datës 14 qershor,  një pjesë e personelit të misionit EULEX do të koordinojë “autoritetet vendore me gjykatën speciale, do të mbesë vetëm si një njësi me disa policë të EULEX-it dhe disa  prokurorë”, mirëpo kjo nuk konfirmohet nga zyrtarët e misionit EULEX.

Akuza për korrupsion

Njohës të sistemit të drejtësisë në Kosovë thonë se ndryshimi i mandatit të misionit EULEX në Kosovë është i domosdoshëm, sepse rezultatet që janë pritur tash e dhjetë vjet nga ky mision, kanë qenë të pakta.

Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, institut që monitoron sistematikisht trajtimin e rasteve gjyqësore, me fokus në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, i tha DW-së, se ky institut vlerëson se “ka pasur një dështim të madh të EULEX-it në zbatimin e kompetencave ekskluzive, por jo vetëm, pasi dështimi më i madh është sidomos në ngritjen e kapaciteteve profesionale si mentoruese, sepse për një dekadë nuk kanë arritur të krijojnë hetues, prokurorë dhe gjykatës vendës, të cilët janë të gatshëm të luajnë rolin e heroit në respektim të sundimit të ligjit.”

Në këtë drejtim, IKD vlerëson se misioni i EULEX-it është i panevojshëm me këtë qasje dhe si i tillë nuk duhet të vazhdohet.

Betim Musliu thotë se kredibiliteti i misionit është dëmtuar në masë të madhe kur dolën në publik aferat për korrupsion brenda misionit: “kredibiliteti i këtij misioni është dëmtuar, kur ka pasur dyshime për përfshirje të zyrtarëve të lartë në afera korruptive dhe kjo e bën edhe më të panevojshëm që të vazhdojë qëndrimin në Kosovë. IKD në gusht 2017 ka rekomanduar krijimin e një Prokurorie dhe Gjykate Speciale për luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke kërkuar përkrahje nga SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania që ata ta bëjnë procesin e verifikimit dhe rekrutimit të hetuesve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë. Vetëm në këtë mënyrë konsiderojmë se mund të ndihmohet sundimi i ligjit dhe sistemi i drejtësisë dhe assesi në formatin e ndihmës, sikurse ka qenë i dizajnuar Misioni i EULEX-it.”

Rezultate të pakta

Që nga përfundimi i luftës deri në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, sistemi i drejtësisë në Kosovë ishte nën menaxhimin e administratës së OKB-së. Në vitin 2008, shumë kompetenca kaluan tek institucionet kosovare, mirëpo, prapë lëndët e ndjeshme, siç ishin lëndët  e korrupsionit të profilit të lartë dhe ato të krimeve të luftës mbeten kompetencë e misionit EULEX i cili sapo ishte dislokuar në Kosovë, shkruan Deutsche Welle.

Duke qenë se rastet e krimeve të luftës që morën zgjidhje nga misioni EULEX ishin të pakta, me një rezolutë të Këshillit të Evropës Kosovës iu kërkua që ta themelojë Gjykatën Speciale për krime lufte. Në gusht të vitit 2015, Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte  dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetime në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme