Fadil Nura shpalos platformën për Skenderajn: Vota juaj për mua, votë për vlerat e UÇK-së dhe Skenderaj të zhvilluar

Skenderaj | 28 Sht 2021 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Komunën e Skenderajt, Fadil Nura përmes një video-adresimi ka prezantuar planprogramin e tij për drejtimin e kësaj komune në katër vitet e ardhshme.

Duke iu drejtuar virtualisht qytetarëve të Skenderajt, Nura tha se me 17 tetor fuqia e votës qytetare do t’ia sjellë fitoren PDK-së në Skenderaj, ku të gjithë do të jenë barabartë.

“Komuna jonë ofron mundësi të shumta, qyteti ynë bujar e me zemër të madhe, ka mundësinë të shndërrohet në një qytet bashkëkohor dhe qender e zhvillimit regjional, tërheqës dhe që plotëson kërkesat për jetë më të mirë, duke garantuar zhvillim të hovshëm ekonomik dhe barazi për secilin që është i lidhur me këtë vend. Të fokusuar në bazë të kërkesave, programi ynë qeverisës prek tri aspekte kryesore të jetës, zhvillimi ekonomik, shërbimet publike, si dhe kultura, rinia e sporti.”, tha ai.

Duke rikujtuar se Partia Demokratike e Kosovës derivon nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Fadil Nura u zotua se si kryetar i Skenderajt, gjithmonë do ta nderoj gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e qytetarëve të Skenderajt për liri dhe dinjitet.

“Duke çmuar lart besimin e vazhdueshëm që e keni dëshmuar e po e dëshmoni dita-ditës ndaj PDK-së dhe themeluesve të saj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, ju siguroj me përgjegjësi në fjalën e dhënë se me përkushtim do të vazhdoj punën në respektim të vullnetit tuaj në çdo kohë, në çdo vend e çdo rrethanë.”, tha Nura.

Ai tha se planprogrami i tij bazohen në zhvillimet aktuale dhe vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës, që në fokus ka ngritjen e mirëqenies së qytetarit.

“Prioritet kryesor në kuadër te Zhvillimit Ekonomik do të jetë krijimi i lehtësirave për investime nga sektori privat dhe nga investitorë te huaj. Ne kuadër te lehtësirave do te ketë veprime konkrete si heqja e burokracisë, lirimi nga taksat komunale, prona në shfrytëzim falas për investitorët në fushën e prodhimit, sigurimi i infrastrukturës së nevojshme përcjellëse, hapja e një zyre e veçantë për investime të huaja dhe nga diaspora, përpilimi i një programi të veçantë për themelimin e bizneseve të reja për të rinjtë dhe krijimi i hapësirave për bizneset.”, tha Nura.

Nura në platformën e tij ka paraparë dhënien e subvencioneve për buqit dhe fermerët, ngritjen e cilësisë së arsimit duke i digjitalizuar shkollat, reformimin e sistemit shëndetësor, modernizimin e shërbimeve publike, promovimin e pikave turistike dhe trashëgimisë kulturore, përkrahjen e të rinjve dhe avancimin e sportit.

“Qytetarë të Skenderajt, Skenderaj na bashkon të gjithëve. Numri 177, na shkëputë nga inercioni, zvarritjet, ngecja dhe harxhimi i pa bazë. Numri 177 dhe të gjithë numrat e listës së anëtarëve tanë të Kuvendit Komunal, janë vetëm një ekip i vogël, në ekipin e madh të 17 Tetorit që përbëhet nga ju.”, përfundoi ai.

Të ngjashme