Fakte që përgënjeshtrojnë ministrin Besnik Bislimi për uljen e papunësisë

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 14:31 | Nga Ekonomia Online

Pikërisht në muajin kur ministri i Financave të Kosovës, Besnik Bislimi tha se u ul papunësia në Kosovë me 6.6 për qind, në zyrat e punësimit në Kosovë kanë aplikuar 32,377 persona për të kërkuar punë.

Në bazë të të dhënave që ka siguruar gazeta inFokus nga Agjencia e Punësimit në Kosovë, del se në muajin prill janë hapur vetëm 20 vende të reja pune ndërsa kanë kërkuar punë mbi 17 mijë meshkuj dhe 14 mijë femra.

Kështu tregojnë të dhënat e këtij institucioni, të cilat përfshijnë vetëm numrin e punëkërkuesve që aplikojnë direkt në qendrat regjionale të punësimit, pa llogaritur të dhënat e formave tjera të punësimit direkt punëdhënës punëmarrës.

Në bazë të këtyre të dhënave numri i punëkërkuesve në Kosovë është rritur sidomos në këtë muaj.

Krahasuar me muajt e tjerë të këtij viti dhe trendit të zakonshëm, në prill kanë aplikuar dhjetëra herë më shumë punëkërkues se më herët.

Kjo vlerësohet të jetë si rezultat i masave të Qeverisë së Kosovës për të përkrahur kategori të caktuara të shoqërisë financiarisht përmes pakos fiskale.

Gazeta inFokus ka gjetur se në muajin mars vetëm 827 qytetarë kishin aplikuar si punëkërkues në zyrat e punësimit, përderisa ishin hapur 411 vende të lira pune.

Ndërkaq, në shkurt numri i atyre që i besonin zyrave të punësimit për të gjetur punë ishte 1,719, apo 750 persona më pakë se në muajin janar.

Të dhënat e Agjencisë së punësimit në Kosovë tregojnë se në data bazën e këtij institucioni deri më 30 prill figurojnë si punëkërkues 126 mijë qytetarë.

Por pavarësisht kësaj situate regjistrimi i mbi 10 mijë punëtoreve të rinj në Administratën Tatimore të Kosovës për të përfituar nga pakoja fiskale e Qeverisë po vlerësohet si shenjë e mirë për uljen e papunësisë në vend nga ministri i Financave të Kosovës, Besnik Bislimi.

Ai të martën është krenuar se numri i të papunëve brenda vetëm një muaji është ulur për 6.6%, që përbën uljen më të madhe në 20 vitet e fundit.

“Që nga viti 1999, shkalla e papunësisë në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e ulët se 24.5%”, ka shkruar Bislimi.

Megjithatë, kreu i financave të Kosovës është kritikuar për këtë, për faktin se njohësit e ekonomisë vlerësojnë se sado që në shifra mund të duket mirë, nuk mund të merret si ulje reale e papunësisë, pasi nuk është raportuar për hapje të vendeve të reja të punës dhe janë ngritur dyshime për manipulimin  e bizneseve me të punësuarit.

Në këtë periudhë kur ekonomia është bllokuar në gjithë botën, duke përfshirë edhe Kosovën, deklarata e Bislimit është vlerësuar mashtrim me qëllim manipulimi.

Lidhur me këtë një ditë pas deklarimit se për një muaj është ulur papunësia në 24.1 për qind, Bislimi ka reaguar duke thënë se nuk është kuptuar drejtë.

Sipas tij, ai u është referuar vetëm regjistrimeve të reja dhe nëse merret si ndryshimi i vetëm në këtë periudhë nënkupton që shkalla e papunësisë zyrtare do të binte në nivelin e 24.1%.

Megjithatë, ai thotë se masat e pakos fiskale kanë krijuar terrenin e përshtatshëm për formalizim të atyre që me vite e kanë konsideruar të leverdishme të operojnë jashtë kornizave ligjore.

Të ngjashme