Fakulteti i Mjekësisë dhe QKUK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Prishtinë | 15 Kor 2017 | 12:50 | Nga

Fakulteti i Mjekësisë dhe QKUK nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për pilotim dhe themelim të Qendrës Informative të Barnave
Në Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë, është nënshkruar Marrëveshja e bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, përkatësisht Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për pilotimin dhe themelimin e Qendrës Informative të Barnave(QIB).

Marrëveshjen e nënshkruan Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Suazana Manxhuka- Kërliu dhe Dr. Curr Gjocaj, drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK, të njëjtën do ta nënshkruaj edhe Rektori i Universitarit të Prishtinës “ Hasan Prishtina” Prof.dr. Marjan Demaj.

Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Curr Gjocaj, e ka konsideruar shumë të rëndësishëm për SHSKUK, nënshkrimin e marrëveshjes, pasi që Qendra Informative e Barnave do të konsiderohet si pjesë përbërëse e Shërbimit Farmaceutik të QKUK/SHSKUK-së dhe Degës së Farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë.

Poashtu, edhe Dekanja Manxhuka- Kërliu, ka vlerësuar këtë marrëveshje duke theksuar se pjesa akademike, profesorët dhe asistentët e Fakultetit të Mjekësisë do të kontribuojnë përmes Katedrës së Farmacisë në avancimin e kësaj Qendre Informative.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshje, u tha se qëllimet kyçe të QIB do të jenë të fokusuara rreth ngritjes së efikasitetit të terapisë mendikamentoze, përmirësimi i nivelit të sigurisë së barnave dhe parandalimin e manifestimit të efekteve anësore, përmirësimit të përdorimit dhe përshkrimit racional të barnave, shmangies së gabimeve me barna dhe minimizimit të hospitalizimeve nga barnat.

Dekanja Manxhuka- Kërliu dhe drejtori Gjocaj, mes tjerash shpjeguan se funksioni kyç i QIB-së do të jetë në edukimin dhe dhënien e këshillave profesionale për studentët, stafin mjekësor dhe për pacientët në QKUK/SHSUK –, në lidhje me barnat, në varësi të rezultateve nga pilotimi. Gradualisht, me zhvillimin e kuadrit të QIB-së, funksioni mund të zgjerohet edhe në dhënien e informatave për trajtimin e personave që manifestojnë shenja të intoksikimeve medikamentoze, gjithnjë me miratimin paraprak nga Drejtoria e Përgjithshme e SHSKUK-së dhe Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë.

Marrëveshja parasheh edhe funksionet tjera që parashihen të ndërmerren nga QIB e që janë të ndërlidhura ngushtë me zhvillimin kadroviko-profesional dhe infrastrukturorë të QIB-së. QIB do jetë ngushtë e lidhur edhe me procesin mësimorë të praktikës së studentëve të Degës së Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Në marrëveshje, poashtu theksohet se QIB me miratimin paraprak nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës dhe Fakulteti i Mjekësisë –UP do të mund të bashkëpunojë me Ministrinë e Shëndetësisë, Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe me institucionet relevante si dhe organizatat dhe Odat që përfaqësojnë profesionistët shëndetësorë në Kosovë.

Tutje, në tekstin e marrëveshjes sqarohet se iniciativa e pilotimit të QIB ka si qëllim themelimin në të ardhmen të QIB-së duke marrë parasysh rëndësinë e një qendre të tillë për Kosovën si dhe duke pasur parasysh kapacitetet ekzistuese profesionale përbrenda Fakultetit të Mjekësisë dhe QKUK/SHSUK– së.

Duke sqaruar përbërjen e e QIB, në marrëveshje thuhet se përbëhet nga radhët e stafit profesional dhe akademik me ekspertizë relevante për QIB nga Shërbimi Farmaceutik i QKUK/SHSUK-së dhe nga Katedra e Farmacisë, FM/UP. Marrëveshja parasheh mundësi të rishikimit të këtij pilotimi pas një periudhe 6 mujore dhe jo më shumë se 12 muaj.

Periudha e pilotimit të QIB do të fokusohet edhe në zhvillimin të kuadrove dhe infrastrukturës së kësaj qendre duke përfshirë edhe mundësitë e vendosjes së bashkëpunimit eventual me qendrat relevante si motra ndërkombëtare. Periudhës së pilotimit do t’i paraprijë zyrtarizimi i një Grupi Koordinues për pilotimin e QIB-së me anëtarë të deleguar nga QKUK/SHSKUK dhe Fakulteti i Mjekësisë.

Grupi Koordinues i QIB-së do t’i raportoj njëkohësisht Drejtorisë së Përgjithshme të SHSKUK – së dhe Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë. Pas mbarimit të periudhës së pilotimit të QIB-së do të bëhet rishikimi i arsyeshmërisë, qëndrueshmërisë profesionale – kadrovike e financiare të QIB dhe do të dilet me rekomandime konkrete për Drejtorinë e Përgjithshme të QKUK/SHSKUK-së dhe Dekanatin e FM/UP.

Grupi Koordinues (QIB) do të raportoj në baza periodike për Drejtorinë e Përgjithshme të QKUK/SHSKUK-së dhe Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme