Familja e argjentinases se vrarë të pranishëm në sallën e gjyqit ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Endrit Nikës

Prishtinë | 19 Shk 2026 | 09:37 | Nga Gzim Mujaj

Endrit Nika, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij, është sjellur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku sot pritet të shpallet aktgjykimi në rastin e vrasjes së shtetases argjentinase, Maria Clara Urdangaray, raporton Ekonomia Online.

Të pranishëm në seancë janë edhe familjarët e viktimës.

Në seancën e fundit, që u mbajt të hënën, prokurori i çështjes, Armend Hamiti, paraqiti fjalën përmbyllëse, duke kërkuar që i pandehuri të shpallet fajtor sipas aktakuzës.

Sipas aktakuzës së datës 11.02.2025, i pandehuri Endrit Nika po akuzohet se më 01.08.2023 në Fushë-Kosovë, në hotel “Sonoma”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M.K.U., paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë te parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hynë në hotelin – dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Endrit Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet e dëmtuara dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës i pandehuri Nika e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast tani e ndjera M.K.U. ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta ka ndërruar jetë në QKUK.

Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura Endrit Nika nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Të ngjashme