Ndonëse ishte dënuar me 15 vjet burgim, familja e dy binjakëve të Prizrenit që u vranë nga Millosh Pleskoviqi po kërkojnë dënimin me burgim të përjetshëm ndaj tyre, raporton Ekonomia Online.
Një gjë e tillë u kërkua edhe në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit e cila shqyrtoi ankesën ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për këtë rast.
Mirëpo gjyqtarja Albina Shabani – Rama teksa paraqiti pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit Jovana Filipoviq, tha se ankesën e ka refuzuar si të pabazuar Prokuroria.
“Prokurori i çështjes ka parashtruar përgjigje në ankesën të cilën e ka dorëzuar mbrojtje, i cili i kundërshton të gjitha pretendimet e mbrojtjes dhe i propozon Gjykatës së Apelit që ankesa e mbrojtësit të pandehurit, Millosh Pleskoviq, avokates Jovana Filipoviq të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi me numër 54 2024 të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë të vërtetohet. Po ashtu, edhe Prokuroria e Apelit ka propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtëses së të akuzuarit Millosh Pleskoviq dhe të trajtohet si e bazuar përgjigja në ankesë e mbrojtësit të akuzuarit, Millosh Pleskoviq”, tha ajo.
Brenda seancës ishte edhe nëna e dy binjakëve Mihrije Daçaj e cila kërkon burgim të përjetshëm, për Pleskoviqin.
“M’i kanë mbytur, çfarë të bëjë. Në mal kanë qenë, kanë shkuar për dru. Ne kërkojmë dënim për jetë”, tha shkurt e mërzitur e ëma e dy djemve që kërkon drejtësi.
Blend Gjini, konsideron se dënimi prej 15 vjetësh është i ulët, për cka propozoi dënim kapital.
“Për fund, i propozojë kolegjit të Departamentit Special për Krime lufte që të refuzohet ankesa e avokates, pasi që një ankesë e tillë është e pabazë dhe nuk korrespondon me provat e shtjelluara”, kërkoi Gjini.
Por avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq insistonte në pretendimin e saj se këtë krim nuk e ka kryer Millosh Pleskoviq.
“Milloshi atëherë i ka pasur 19 vjet. Në momentin kur ka ndodhur kjo ka qenë në mbajtje të dënimit, nuk ka qenë as zyrtar i policisë. Ai ka ardhur dhe e ka vizituar Prizrenin deri tash dhe ka publikuar fotografi në facebook-un e tij, dhe kanë komentuar shumë shqiptarë nga Prizreni, deri në moment askush nuk ka folur për të”, pretendon ajo.
Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar familjarët e viktimave.
Pas përplasjeve mes palëve, ka reaguar gjyqtari Mentor Bajraktari i cili tha se vendimi do të merret përmes shkalles së parë në një afat të arsyeshëm.
Më 31 korrik të 2025-ës, Millosh Pleskoviq është dënuar me 15 vjet burgim, mbi akuzat për vrasjen e tre civilëve shqiptarë dhe plagosjen e disa të tjerëve gjatë luftës në Kosovë.


