Kryetari i nderit i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vendosur të shkojë në mbledhjen e Këshilli të Përgjithshëm të partisë, megjithëse thotë se nuk ishte i ftuar.
Këshilli i Përgjithshëm ka nisur mbledhjen rreth orës 18:30, në Qendrën e Konferencave “Orion” në Prishtinë, dhe pritet të përcaktojë listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie.
“Kam ardhur me marr pjesë edhe pse nuk kam qenë i ftuar. Kisha për qëllim të shtoj vrojtimet e mia si të ecë dhe si të zhvillohet ky proces. Sikur më parë, edhe sot kryetari i partisë, po vendos”, tha Sejdiu për gazetarët, pasi e lëshoi mbledhjen në mënyrë demonstrative.
“Mendoj se është një avaz apo cikël i keq që vazhdon”, tha Sejdiu, raporton Ekonomia Online.
Ish-presidenti i Kosovës u shpreh se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, nuk duhet të lejohet të vendosë gjithçka vetë pa pyetur Këshillin Drejtues dhe strukturat e tjera drejtuese.
Mediet kanë raportuar se Sejdiu ka refuzuar të futet në listën e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Arsyet dhe pakënaqësitë e veta, Sejdiu i ka shpalosur në mbledhje.
Por, gazetarët nuk po lejohen brenda të përcjellin punimet. Sidoqoftë, ekipi i Ekonomia Online do të provojë të marrë prononcimet e aktorëve kryesorë në përfundim të mbledhjes.
Në mbledhje, sipas burimeve të Ekonomia Online, nuk po merr pjesë Vjosa Osmani, e cila ishte femra më e votuar në zgjedhjet e kaluara.
Sikur kanë raportuar mediet, LDK pritet ta përjashtojë nga lista për deputetë Osmani dhe katër ish-deputetë nga radhët e kësaj partie të cilët nuk e kishin votuar Mustafën si kryeministër. Në mesin e tyre është dhe Shpejtim Bulliqi, njeriu më i zëshëm kundër marrëveshjes së demarkacionit.