Faturat e KEDS-it tashmë mund t’i paguani edhe përmes platformës eKosova

Prishtinë | 03 Maj 2024 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

KESCO në bashkëpunim me platformën shtetërore eKosova, kanë krijuar mundësinë e pagesave të energjisë elektrike, por edhe për ta shikuar atë në mënyrë digjitale.

Nga kjo kompani bëjnë të ditur se përpos pagesave në arkat e tyre, institucioneve financiare bankare dhe jobankare, si dhe aplikacionit eKesco, qytetarët e Kosovës dhe bashkëqytetarët nga diaspora mund të kryejnë pagesat shpejt dhe lehtë edhe përmes kësaj platforme.

“Vlen të theksohet që për ta realizuar pagesën e energjisë elektrike në eKosova, secili konsumator fillimisht duhet ta përzgjedhë distriktin, varësisht regjionit, dhe më pas ta shkruajnë edhe shifrën e konsumatorit e cila është e veçantë dhe individuale për secilin. Psh: DPR 1234”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se pavarësisht se në cilën bankë jeni klientë, mjafton të keni një kartelë VISA ose MasterCard, për të vazhduar me hapat që u kërkohen për ta kryer pagesën. Banka që ju shfaqet gjatë kryerjes së pagesës është vetëm ndërmjetësuese, dhe transaksioni juaj realizohet në kohë reale, pa tarifë shtesë.

Të ngjashme