Shumë qytetarë e kanë informuar KMDLNj-në se në muajin dhjetor faturat e energjisë elektrike janë mbi 70 për qind më të larta se në muajin paraprak. Është e pabesueshme dhe e pakuptueshme një rritje aq e lartë, kur temperaturat nuk dallojnë shumë në këta dy muaj, andaj qytetarët nuk kanë pasur nevojë për shpenzime shtesë të energjisë elektrike.
Ndërmarrja e strukturuar kriminale e quajtur ZRrE, që nga themelimi i saj, ka punuar në dëm të qytetarëve, paguesve të rregullt të energjisë elektrike, duke ua vjedhur paratë për të mbuluar pagesën e faturave për serbët, gjë që duket se po e bën edhe sot. Ndryshe, si të arsyetohet çmimi aq i lartë i rrymës në muajin dhjetor?
Ndonëse ekziston një vendim i gjykatës ku qartazi thuhet se ndërmarrja e strukturuar kriminale ZRrE, në kundërshtim me ligjin, ka fryrë faturat duke diskriminuar qytetarët në baza etnike dhe politike, qytetarët shqiptarë dhe joserbë asnjëherë nuk janë kompensuar për dëmet që u janë bërë.
Qeveria e Kosovës, duke përkrahur këtë ndërmarrje të strukturuar kriminale, po identifikohet si bashkëpjesëmarrëse në krim dhe në varfërimin e skajshëm të qytetarëve. Blerja e rrymës me çmime të larta, kryesisht nga serbët dhe grekët, si dhe dyshimet për korrupsion ndaj ambasadorit Martin Berishaj dhe ministres kujdestare Artane Rizvanolli, qartazi ndikojnë në çmimet e energjisë elektrike.
Licencimi i operatorëve për tregti me rrymë të personave të afërt me kryeministrin kujdestar nxit dyshime të bazuara për një korrupsion institucional të planifikuar mirë, me qëllim përfitimi kundërligjor, në dëm të qytetarit dhe të shtetit. Dhënia e monopolit të tenderëve për shitblerje të rrymës në Kosovë një personi me emrin Vuk Hamoviq, serb nga Serbia, i biri i kryeshefit të ushtrisë serbe në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, tregon se sa seriozisht po rrezikohet siguria në Kosovë.
KMDLNj i bën thirrje Prokurorisë së Kosovës që të hetojë punën e ZRrE-së që nga fillimi i saj, dhënien e licencës monopolizuese Vuk Hamoviqit, oligarkut serb, dhënien e licencave për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike, vendosjen në pozita kyçe të njerëzve të kryeministrit, si dhe largimet nga puna për shkak të papërshtatshmërisë politike. Të hetohen të gjitha kontratat për shitblerje të energjisë elektrike.
KMDLNj i fton qytetarët që të mbrojnë të drejtat e tyre ekonomike dhe sociale, të kundërshtojnë plaçkitjen përmes faturave jonormale të energjisë elektrike duke protestuar dhe duke pamundësuar punën e atyre që e planifikojnë vjedhjen, e kryejnë atë apo nuk e pengojnë. Shfrytëzoni përvojat e vendeve shumë më të pasura dhe më të zhvilluara se Kosova. Reagimi i tyre do të ishte i menjëhershëm dhe të gjithë keqbërësit do të largoheshin nga puna ose do të përfundonin në burg.
Mungesa e një reagimi të fuqishëm qytetar po e inkurajon ZRrE-në dhe keqbërësit qeveritarë që brutalisht ta dhunojnë buxhetin e familjeve kosovare, duke i shtyrë ato drejt një varfërie dhe mjerimi të skajshëm.
Ndërmarrja e strukturuar kriminale ZRrE ka paralajmëruar se në muajin mars 2026 do të shqyrtojë kërkesën e operatorëve për rritje të çmimit të rrymës, çka nënkupton përkeqësim edhe më të madh të gjendjes ekonomike për pjesën dërrmuese të familjeve kosovare. Rritja e çmimit të energjisë elektrike pashmangshëm provokon rritjen e çmimeve të të gjithë artikujve dhe shërbimeve, andaj qytetarët duhet ta kundërshtojnë këtë, pavarësisht se cila qeveri është në pushtet.
KËSHILLI PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE E TË LIRIVE TË NJERIUT