Federata Sindikale e RTK-së ka shprehur shqetësim lidhur me vendimin e Bordit të RTK-së për hapjen e konkurseve për katër pozita drejtuese, përfshirë dy pozita të zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm, në një kohë kur institucioni po përballet me vështirësi të theksuara financiare.
Federata vlerëson se në kushtet aktuale kërkohet një menaxhim më i kujdesshëm dhe racional i burimeve financiare, veçanërisht duke pasur parasysh se ende nuk janë realizuar pagesat për angazhimet shtesë të punëtorëve dhe se vazhdimisht theksohet nevoja për kursim dhe racionalizim të shpenzimeve.
Sipas Federatës, vendimi për krijimin e pozitave të reja drejtuese ngre pikëpyetje për koherencën e vendimmarrjes institucionale. Nëse RTK-ja ka kufizime financiare për përmbushjen e detyrimeve ndaj punëtorëve dhe zbatimin e Kontratës Kolektive, kërkohet një arsyetim i qartë dhe i plotë për zgjerimin e strukturës menaxheriale.
Një nga çështjet e ngritura nga Federata është edhe shujta e punëtorëve. Sipas Kontratës Kolektive, vlera e saj është 2.50 euro për punëtor, shumë që, sipas Sindikatës, është e pamjaftueshme në raport me çmimet aktuale.
Federata thotë se ka kërkuar rritjen e kësaj shume dhe se në takimet me menaxhmentin është marrë zotim për të gjetur mundësi që ky obligim të përmbushet në mënyrë më dinjitoze për punëtorët.
Në reagimin e saj, Federata thekson gjithashtu se RTK-ja vazhdon të ketë mungesë të kapaciteteve në sektorin e prodhimit programor. Gazetarët, kameramanët, montazhierët dhe teknikët, sipas Sindikatës, mbajnë barrën kryesore të funksionimit të përditshëm të transmetuesit publik.
Për këtë arsye, Federata konsideron se prioritet duhet të jetë forcimi i kapaciteteve profesionale, përmirësimi i kushteve të punës dhe përmbushja e obligimeve ndaj punëtorëve, e jo zgjerimi i strukturës menaxheriale.
Federata Sindikale e RTK-së kërkon që vendimi për hapjen e konkurseve për pozitat e reja drejtuese të rishqyrtohet dhe që çdo vendimmarrje e ardhshme që ndikon në strukturën organizative dhe shpenzimet e institucionit të shoqërohet me transparencë të plotë, përfshirë arsyetimin funksional dhe financiar.
Në përmbyllje, Federata thekson se menaxhimi i qëndrueshëm i RTK-së duhet të mbështetet në një balancë mes nevojave institucionale, përgjegjësisë ndaj punëtorëve dhe misionit publik të transmetuesit.