Federatat shprehin pakënaqësitë e tyre rreth Projektligjit për Sportin

Prishtinë | 24 Pri 2024 | 15:34 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Federatat sportive në vend, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre sa i përket Projektligjit për Sport. Disa e konsideruan si ndërhyrje në pavarësinë e federatave sportive dhe klubeve sportive e disa si tendencë për ta kapur sportin, raporton Ekonomia Online.

Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, ku u mbajt dëgjim publik për këtë Projektligji, disa federata edhe e përkrahjen këtë projektligj por që dorëzuan edhe komentet e tyre.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka thënë se ky projektligj adreson shtyllat e ndryshme që janë në interes të sportit.

Sipas saj, në këtë projektligj i është kushtuar rëndësi çështjes së infrastrukturës dhe çështjes së financimit.

Ajo ka shtuar se një risi përmes ligjit është adresimi i kërkesë për veteranët ku parashihet kompensimi i tyre.

“Drafti aktual i ka 12 kapituj me 74 nene të cilat adresojnë shtyllat e ndryshme që janë në interes të sportit. Për herë të parë behet diferencimi i sportit dhe aktivitete fizik si një shtyllë e rëndësishme zhvillimore e shoqërisë sonë. Bëhet identifikimi i qartë dhe i saktë i rolit, detyrave dhe përgjegjësive i të gjithë individëve që janë të përfshirë në komunitetin e sportit”, ka thënë ajo.

Shasivar Haxhijaj nga Federata e Lundrimit, ka kërkuar që të bëhen disa ndryshime në këtë projektligj, kjo me projektligjin aktual, rrezikon në masë të madhe pavarësinë dhe autonomin e federatave sportive dhe klubeve sportive.

Ai ka theksuar se ky projektligj e rrezikon po ashtu edhe Komitetin Olimpik të Kosovës.

“Konsideroj që ky draftligj ka aq shumë të meta, defektet sa që nëse ashtu siç është sot miratohet në Kuvendin e Kosovës e rrezikon në masë më të madhe pavarësinë dhe autonomin e federatave sportive dhe klubeve sportive, kur e kemi parasysh që liria e asocimit është e garantuar me Kushtetutën dhe me ligjin për themelin e OJQ. Me këtë ligj preken këto baza edhe preken ne mënyrë më të keqe, ndërhyn edhe te kodi penal edhe te përgjegjësit dhe kompetencat që kanë gjykata edhe prokurorët. Ligji është rënduar më shumë detaje. Sporti defenitivisht e humb autonomin, ose shtetëzohet komplet sporti”, ka thënë ai.

Fatmir Makolli nga Federata e Kikboksit të Kosovës, ka falënderuar ministrin që në këtë projektligj ka përfshirë kompensimin e veteranëve të sportit.

Ai ka thënë se si federatë e mbështesin këtë projektligj.

“Ky projektligj është i mirë dhe e mbështes këtë projektligj, më mirë është një ligj i keq se pa ligj fare”, ka thënë ai.

Taulant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, ka thënë se si federatë e mirëpresin këtë projektligj, por ai ka kërkuar që të merren parasysh disa komente të federatës për këtë.

Ai ka shtuar se disa nene ne lidhje me ushtrimin e veprimtarisë dhe ndikimi që e ka Agjencia për Sport, lë për të dëshiruar, kjo pasi sipas tij, potencialisht pas një kohe, këto nene mundet të ketë konflikt dhe ndërhyrje në aktivitetet e federatës sportive.

“Federata e Futbolli të Kosovë që është sporti më masiv në vend e mirëprit këtë iniciativë dhe parimisht jemi shumë të kënaqur qe po bëhet ndryshime nga kjo fushë. Parimisht komentet tona janë të bëhen dallime në mes akterëve profesional dhe lojtarëve që marrin pjesë në sport. Të proceduar e ushtrimit të veprimtarisë të organizata duhet të kemi parasysh dhe duhet të jemie më të qartë, që të mos ju lejojmë mundësinë personave të caktuar tash ose pas 10 vjetëve që të përdorin  autorizime dhe të marrin qasje në organizata sportive, të mos ketë ndërhyrje të autoriteteve publike në pavarësinë e organizatave sportive. Disa nene ne lidhje me ushtrimin e veprimtarisë dhe ndikimi që e ka Agjencia për Sport,  mendoj që lë për të dëshiruar dhe potencialisht nesër pasnesër mundet me u krijua një konflikt që mundet me u konsideruar ndërhyrje dhe mundet me u pezulluar aktiviteti i federatës sportive nga vete organizata amë sportive”, ka thënë ai.

Nehat Citaku kryetar i Federatës së Ping Pongut, tha se më këtë projektligj po bëhet kapja e sportit.

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka thënë se për këtë projektligj ka dorëzuar 18 amendamente me 96 paragrafë.

“Te jemi goxha vizionar se ku do ta dërgojmë sportin. Jo që më projektligj me pa veten po me projektligj me pa sportin. Në këtë projektligj kam dorëzuar 18 amendamente me 96 paragrafë, mendoj që ka nevojë të rregullohet dhe përmirësohet. Duhet të rregullohet qëllimi i projektligjit”, ka thënë ai.

Ligji i ri që së shpejti do të shkojë edhe në Kuvendin e Kosovës për miratim synon të sjellë edhe disa ndryshime, sidomos për shkak të organizimit të Lojërave Mesdhetarë në Kosovë në vitin 2030.

Gjatë ditës për Ligjin për Sport Komisioni është mbajtur dëgjim publik edhe me përfaqësues të Drejtorive Komunale të Sportit, por që në atë dëgjim publik kishin marr pjesë  vetëm tri komuna, Gjakova, Drenasi dhe Dragashi.

Të ngjashme