Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) kanë lansuar Udhëzuesit Anti-Korrupsion për mësimdhënës dhe nxënës, raporton Ekonomia Online.
Ky program është bërë enkas për klasat e gjashta, ku nxënësit do të kenë mundësi t’i marrin mësimet si model shtesë në lëndët: Gjuhë Shqipe, Gjeografi, Histori dhe Edukatë Qytetare.
Albert Avdiu, menaxher i projektit Përkrahje Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Kosovë II, që mbështetet nga qeveria zvicerane dhe ajo daneze, tha se fëmijët duhet të jenë të informuar për dëmet që shkakton korrupsioni.
“Edukimi është çelësi kryesor i edukimit kundër korrupsionit dhe ne kemi punuar që të fusim mësime kundër korrupsionit në lëndët mësimore. Nxënësit duhet të jenë aktivë të mësojnë për aspektet negative të korrupsionit”, tha ai.
Mato Meyer, këshilltar i lartë në UNDP, tha se ka pasur iniciativa të vogla deri tani në shkolla për informimin kundër korrupsionit.
“Kemi pasur të bëjmë me sigurimin e librave shkollor dhe bazuar në gjetjet kemi pasur iniciativa të vogla të cilat kanë mundur të kenë shumë pak pozitive për informimin në shkolla për korrupsionin. Korrupsioni zvogëlon mundësitë. Ne mendojmë që përmes arsimit të rinisë ua mësojmë ta luftojnë korrupsionin, së bashku me shoqërinë civile dhe partnerët e tjerë”, tha ai.
Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, tha se e vetmja mundësi për ta parandaluar korrupsionin është edukimi i fëmijëve.
“Ministria e Arsimit është e përkushtuar në drejtim të përgatitjes së materialeve të ngjashme që i informojnë nxënësit për fenomenet korruptive. Diskutimet për korrupsionin janë në të gjitha nivelet, janë edhe në familje dhe fëmijët janë të ekspozuar ndaj korrupsionit. E vetmja mundësi për të parandaluar korrupsionin është t’i përgatitim fëmijët në shkolla”.
“Në Kosovë vazhdimisht jemi marrë me pasojat e korrupsionit. Efektet që mund të japin udhëzuesit janë efektet që përgatisin nxënësit dhe ne do t’i inkurajojmë të bëhen me shumë kurrikula që t’i përgatisin nxënësit kundër korrupsionit”, tha ai.
Bujar Gallopeni, ekspert i arsimit, tha se viteve të fundit ka qenë sfiduese të instalohen tema të reja në kurrikulën e arsimit kundër korrupsionit.
“Nuk ka nevojë të ketë lëndë të re as mësim zgjedhor, por do të bëhet në lëndë aktuale, sepse e dimë që lëndët zgjedhore nuk bëhen në të gjitha klasat dhe kjo e zbeh pak mësimin. Për klasën e gjashtë dhe për klasat e tjera si lëndë potenciale kanë qenë lënda Histori, Edukatë Qytetarë e Gjuhë Shqipe”, tha Gallopeni.