Fenomeni paranormal: Bekim Sejdiu

Prishtinë | 31 Gus 2026 | 19:40 | Nga Kimete Berisha

Fenomeni paranormal: Bekim Sejdiu

(Backup-i i Isa Mustafës.)

LDK-ja e propozoi Bekim Sejdiun për President.

Njeri i mirë që mirësinë e ka mbajtur fshehtë.

Njeri i ditur që dijen nuk e ka shprehur kurrë.

Njeri me integritet që ka pasur kujdes të mos lërë prova.

Prandaj s’e njeh askush.

Përveç zyrave të prokurimit në Qeveri.

Por

kandidaturën e pranoi.

Sikur Republika sapo ka hapur tender,

tha se është vënë në shërbim të saj.

Veç tregomëni specifikat e shërbimit.

Të pashprehura.

Po ndodh një reinkarnim institucional.

Tani, Isa Mustafa gjendet në dy vende njëkohësisht.

Fenomeni paranormal:

Bekim Sejdiu.

I njëjti zë.

E njëjta e folur.

Të njëjtat mimika.

Të njëjtat vetulla të thyera në hark.

E njëjta fytyrë që të jep përshtypjen se para se të përgjigjet, duhet ta presësh të përfundojë mbledhja e Kryesisë së LDK-së brenda tij.

Bekimi flet.

Isa dëgjohet.

Bekimi e ngrit vetullën.

Albulena kërkon ta dijë kush e ka autorizuar.

Bekim Sejdiu i çon të dyja vetullat lart –

Albin Kurti i uron ngritje të mëtutjeshme…

të vetullave.

Bekimi buzëqesh.

Lumiri pulit sytë.

I skuqen faqet.

Bekimi zotohet.

Haziri dyshon.

(Tinёz.)

Bekimi hesht.

LDK-ja shikon pas derës.

Bekimi ia lyp votën.

Avdullah Hoti: Ne.

Bekimi e kthen kokën majtas.

Një degë e VV-së kërkon sqarime.

E kthen djathtas.

Dega e LDK-së e përkrah pa e ditur për çka.

Bekimi pi ujë.

LDK-ja kërkon ta dijë a është qëndrim personal.

Nëse e mbyll njërin sy,

Vjosa Osmani humb durimin.

Nëse i mbyll të dy –

thirret Kryesia.

Nëse fle,

mbledhja vazhdon pa të.

Albin Kurti nuk reagon.

E ka parë Isa Mustafën edhe më herët.

S’ka nevojë të kërkojnë vota për President.

Le ta vendosin Bekimin para pasqyrës dhe i kanë dy.

Nëse i vendosin dy pasqyra,

e bëjnë kuorumin.

Nëse pasqyra është e madhe,

hyjnë në koalicion me veten.

Bekim Sejdiu nuk e imiton Isa Mustafën.

Isa Mustafa po vazhdon mandatin përmes tij.

Edhe kravatën e kanë të njëjtë:

jorgovan.

U kërkua kandidat konsensual.

U gjet Isa Mustafa në një trup tjetër.

Prej këtu, shkenca tërhiqet.

Rasti i kalon Albinit.

EPILOG

Një dekadë ambasador –

e quajnë apartiak.

Tregtari i mendimeve.

Nga Klina.

Qeveria fillimisht i dha tenderin për mendime, pastaj e propozoi për President.

Mijëra euro për mendime të pashprehura.

Vjosa Osmani tregoi se Bekimi ka qenë punëtor i saj.

Kanë tregtuar së bashku mendime…

Të pashprehura.

Reinkarnimi ka pasur edhe punëdhënës.

Isa Mustafa nuk e ka deklaruar këtë përvojë pune.

Bekimi.

Ka marrë pjesë në dhjetë aktgjykime të mëdha.

Tash po kandidon për të njëmbëdhjetin.

P.S. Kryesorja: Albini nuk e voton.

AUTOKRITIKË:

Rroftë Hashim Thaçi.

Të ngjashme