Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” në Ferizaj ka mbajtur një aktivitet të titulluar “Kafja e miqësisë” si iniciativë për të përkujtuar përvjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarako-policore serbe.
Në këtë aktivitet të pranishëm ishin përfaqësues nga Komuna e Ferizajt, përfaqësues të bashkësive fetare në Ferizaj, përfaqësues të Policisë së Kosovës nga Regjioni i Ferizajt, pjesëtarë amerikanë të KFOR-it, shoqëria civile dhe medie.
Me këtë rast Kenan Gashi, drejtor ekzekutiv në “Avonet”, ka thënë se kjo datë ka një rëndësi të veçantë për popullin e Kosovës, andaj vendi duhet të mbajë aktivitete të ndryshme tradicionale që ndërlidhen me 24 marsin.
Ndërsa kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka theksuar se kësaj kafeje i është përgjigjur me shumë kënaqësi, duke e konsideruar Ferizajn si vend të tolerancës në të gjitha fushat.
“Kjo është njëra ndër ditët më historike që lidhet me lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, është data 24 marsi atëherë kanë filluar bombardimet e NATO-së më qëllim të vetëm shpëtimin të popullit të Kosovës, nga kërcënimet për shfarosje, vetëm e vetëm se i takonin një përkatësi tjetër kombëtare dhe bindje tjetër politike të luftës për demokraci, pavarësi dhe liri të plotë brenda këtij nen qielli të Evropës së zhvilluar”, ka thënë Svarqa.
E nga ana tjetër përfaqësues të KFOR-it amerikan nga kampi Bonstill u shpreh të nderuar me ftesën për kafe miqësie, me ç’rast janë zotuar për një bashkëpunim edhe të mëtutjeshëm me drejtues të pushtetit lokal të Ferizajt.
“Kafja e miqësisë” e organizuar nga rrjeti “Avonet” tashmë është bërë tradicionale me rastin e 24 marsit, ditës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë.
Në shenjë respekti për KFOR-in amerikan, kryetari i Komunës së Ferizajt, i ka dhuruar edhe një gravurë përfaqësuesve të KFOR-it amerikan që ishin prezent në këtë kafe miqësie.