Feronikeli fiton derbin, fitojnë edhe Prishtina e Trepça 89

Prishtinë | 24 Shk 2019 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 19-të në IPKO Superligë.

Lideri i renditjes, Feronikeli ka shënuar fitore para tifozëve të vet në përballje me skuadrën kandidate për titull, Llapin, me rezultat 2:0.

Kjo ndeshje u zhvillua në një mot të ftoftë në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, por që rëndësia e ndeshjes bëri që numri i tifozëve të jetë tejet i madh.

Feronikeli kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Mendurim Hoti, me gjuajtje me kokë pas harkimit të Da Silvas, në minutën e 30-të.

Ndërsa fitoren e skuadrës nga Drenasi e vulosi Astrit Fazliu, me golin e shënuar në minutën e 90-të.

Ndërkohë, fitore para tifozëve të vet ka fituar edhe Prishtina në duel me rivalen e vjetër, Lirinë, me rezultat bindës 4:0.

Prishtina kaloi në epërsi qysh në minutën e parë me golin e Gauthier Mankendas, derisa në pjesën e dytë shënuan edhe Armend Thaçi (50’), Meriton Korenica (58’) dhe Arbër Hoxha (90′).

Tri pikë të rëndësishme në shtëpi i ka arkëtuar edhe Trepça’89, që e ka mundur Dritën në stadiumin “Riza Lushta”, me rezultat 1:0.

Golin e fitores për ‘minatorët’ e shënoi Renato Hyshmeri (12’).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme