“Festo me zemër, jo me armë“, policia e Ferizajt apelon tek qytetarët për kujdes

Prishtinë | 29 Dhj 2023 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt në prag të Vitit të Ri u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes për sigurinë e tyre.

“Festo me zemër, jo me armë”, është apeli i Policisë së Kosovës, gjersa kërkon nga qytetarët që ndezja e fishekzjarrëve të bëhet dhe të mbikëqyret nga të rriturit.

“Policia Rajonale e Ferizajt është e fokusuar në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në mbarë rajonin e Ferizajt për sigurinë e secilit qytetarë. Policia ka shtuar prezencën e saj në ambiente të hapura, në sheshe, në afërsi të lokaleve të ndryshme ku mbahen organizime festive, si dhe ka marrë masat e nevojshme në komunikacionin rrugor që festat e fund vitit të kalojnë pa incidente dhe aksidente në rrugë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek qytetarët që të bëjnë kujdes për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, me theks të veçantë që:

Përdorimi i armëve në festa dhe gëzime mund të shndërrohet në tragjedi, po ashtu është e ndaluar me ligj.

Personat e mitur duhet të rrinë larg nga armët e zjarrit.

Përdorimi i fishekzjarrëve është i rrezikshëm për fëmijë

Ndezja e fishekzjarrëve duhet të bëhet dhe të mbikëqyret nga të rriturit.

“Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Sa herë që kanë informacione për veprat që cenojnë sigurinë e qytetarëve, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250, 0290/322-406. Policia do të reagojë menjëherë. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Të ngjashme