“Festojmë me Ju” – Qindra qytetarë në tubimin e thirrur nga Nisma për të shprehur mirënjohjen për “shpallësit e pavarësisë”

Prishtinë | 17 Shk 2023 | 15:10 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qindra qytetarë i janë përgjigjur ftesës së Nismës Socialdemokrate dhe i janë bashkuar tubimit festiv “Festojmë me Ju!”, në nderë të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ky tubim po konsiderohet edhe si protestë në mbrojtje të ish-krerëve të shtetit, të cilët po gjykohen në Hagë.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tha se ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ai tha se ky tubim mbahet për të nderuar “shpallësit e Pavarësisë”.

“Sot të gjithë jemi mbledhur këtu për të nderuar dhe për të shprehur mirënjohje për shpallësit e Pavarësisë së Kosovës. Ne sot këtu bashkë, e kudo ku ka shqiptarë, festojmë me ata që e shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe të lirë”.

“Festojmë me ju President i Republikës, Hashim Thaçi; Kryetar i Kuvendit, Jakup Krasniqi; Kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli. Sot në krye me Komandantin legjendar i nderojmë të gjithë dëshmorët e kombit. Çdo 17 shkurt është moment i nderimit”, tha ai.

Gjatë fjalimit të Limajt qytetarët brohoritnin UÇK. Në këtë organizim u shfaqën me video momenti kur ish-kuvendari Jakup Krasniqi hap seancën e shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, fjalimi i ish-Presidentit Fatmir Sejdiu dhe momenti kur ish-kryeministri Hashim Thaçi lexon deklaratën e pavarësisë.

Të ngjashme