Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur që liga elitare, Superliga, ta shkurtojë numrin e skuadrave nga 12 në 10 prej sezonit të ri 2020/21, si dhe t’u lejojë klubeve t’i formojnë ekipet B.
Sezoni 2020/21 në Superligë do të zhvillohet me format të ri prej 10 skuadrave me sistem të katërfishtë, ku ekipet do të ndeshen nga katër herë mes vete. Ku klubet e fundit në renditje në përfundim të sezonit bien nga Superliga, ndërsa asaj i bashkohen dy të tjera nga Liga e Parë, raporton Gazeta Express.
“KE shqyrtoi edhe njëherë formatin e garave për edicionin e ri 2020/2021 dhe mori vendim që Superliga të ketë 10 skuadra me sistem të katërfishtë, ku nga liga do të largohen dy skuadrat e fundit në tabelë dhe anëtarë të rinj bëhen dy skuadrat kampione të grupeve në Ligën e Parë”, thuhet në një njoftim të FFK-së.
Ndryshime do të ketë edhe në kategorinë e dytë të futbollit në vend, Ligën e Parë, e cila do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra.
“Në fakt, Liga e Parë do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra, ndërsa nga liga largohen tri skuadrat e fundit në secilin grup. Ndërsa, nga Liga e dytë kampioni dhe nënkampioni ngjiten në Ligën e parë, ndërsa nga liga largohen 4 skuadrat e fundit. Po ashtu, nga Liga e Tretë në një rang më lart ngjiten kampionët e të dyja grupeve”, thuhet tutje në njoftim.
KE-ja ka premtuar se do të gjejë edhe sponsorë për Ligën e Parë dhe Ligën e vashave dhe atë të futsallit.
“KE debatoi edhe për procesin e gjetjes së sponsorëve për Ligën e parë, Ligën e femrave dhe të futsallit. Po ashtu KE shqyrtoi edhe mundësinë e lejimit të formimit të skuadrave”B” të klubeve të Superligës dhe mori vendim që t’u lejohet klubeve të Superligës formimi i skuadrës “B” i cili do të garojë maksimalisht dy rangje më ultë se ekipi i Superligës”.