Demokracia është “nën sulme dhe po tkurret” në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara kanë hequr dorë nga roli tradicional si kampione të idealeve demokratike, ndërsa Rusia dhe Kina “kanë rritur represionin” dhe “ndikimin e keq jashtë vendit”, thuhet në raportin e organizatës Freedom House, të titulluar “Liria në Botë 2018”.
Grupi joqeveritar, me seli në Uashington, e radhit Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi nga rajoni, dhe me Pakistanin, Armeninë, Ukrainën e të tjera nga bota.
Serbia dhe Kroacia, në raportin e publikuar sot, futen në mesin e vendeve të lira.
“Demokracia po përballet me krizën me serioze në dekada”, tha presidenti i Freedom House, Michael Abramowitz. “Parimet themelore të demokracisë, përfshirë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, lirinë e shprehjes dhe sundimin e ligjit, janë nën rrethim në gjithë botën”, shtoi ai.
Raporti thotë se 2017-ta ka qenë viti i 12-të radhazi i rënies së lirisë globale – me 71 vende që kanë vuajtur rënie në të drejtat politike dhe liritë civile.
“Një zhvillim i madh në vitin 2017 ka qenë zmbrapsja e Shteteve të Bashkuara nga pozita e kampionit dhe shembullit të demokracisë”, thuhet në raport.
Freedom House thotë se ka gjurmuar “rënie të ngadalshme të të drejtave politike dhe lirive civile në SHBA gjatë shtatë vjetëve të kaluar”.
Por, organizata thekson se rënia është përshpejtuar në vitin 2017, për shkak të provave për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet më 2016, shkeljeve të parimeve themelore etike nga administrata e presidentit Donald Trump dhe reduktimit të transparencës së qeverisë.
Raporti thekson se “shtypi dhe gjyqësori kanë mbetur të qëndrueshëm përballë sulmeve të paprecedente të presidentit Trump”.
Abramowitz tha se “institucionet kryesore të demokracisë amerikane janë duke u dëmtuar nga një administratë që i ka trajtuar kontrollet dhe balancat tradicionalë të vendit me përçmim”.
Freedom House thotë se “regjimet autokratike në Rusi dhe Kinë “kanë përfituar nga tkurrja e demokracive kryesore” dhe “po veprojnë përtej kufijve të tyre”.
Abramowitz tha se “tërheqja e shpejtë” e Trumpit nga angazhimi historik i SHBA-së për të mbështetur demokracitë jashtë vendit “e ka bërë sfidën që paraqesin regjimet autoritare më të fuqishme dhe më kërcënuese”.
Raporti thekson se Qeveria e presidentit rus, Vladimir Putin, ka arritur në regjim modern autoritar, duke organizuar fushata dezinformuese gjatë zgjedhjeve në demokracitë evropiane, duke kultivuar lidhje me partitë politike ksenofobike anembanë kontinentit dhe duke kërcënuar fqinjët më të afërt.
“Qëllimi kryesor i këtyre përpjekjeve ka qenë prishja e shteteve demokratike dhe thyerja e institucioneve që i mbajnë ato së bashku”, thuhet në raport.
Freedom House ka bërë vlerësimin në 195 vende të botës, nga të cilat 88 janë radhitur si të lira, 58 pjesërisht të lira dhe 49 jo të lira.
Në fund të listës janë: Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Koreja e Veriut dhe Turkmenistani.