Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është duke vlerësuar nëntë oferta nga kompani që kërkojnë të blejnë të drejtat komerciale dhe transmetuese për garën e re të klubeve që ai shpreson se do të bëhet turneu më fitimprurës në futbollin botëror, duke tejkaluar edhe Ligën e Kampionëve të Evropës, shkruan sot Koha Ditore.
Afati ka kaluar të enjten për investitorët që të paraqesin ofertat për botërorin e klubeve që do të jetë tërësisht i rimodeluar, pasi do të fillojë në qershor të vitit 2021 me një fazë grupore që do të përbëhet prej 24 ekipeve.
“Botërori i klubeve do të bëhet gara më e mirë e futbollit në botë, pasi FIFA këtë e ka prioritet. Personalisht, dua që botërori i klubeve të jetë më i miri si për nga cilësia në fushë ashtu edhe sa u përket të ardhurave”, ka insistuar Infantino të premten.
Ambiciet e FIFA-s për t’u përfshirë më shumë në futbollin e klubeve – përtej angazhimit të zakonshëm për organizimin e garave për përfaqësuese – paraqet një sfidë për Ligën e Kampionëve të udhëhequr nga UEFA, ku Infantino ishte sekretar i përgjithshëm përpara se të zgjidhej në krye të Shtëpisë Botërore të futbollit në vitin 2016.