Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ende nuk ka dalë me listën përfundimtare me emrat e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Kryesia e PDK-së ka mbajtur takim për përpilimin e listës përfundimtare, e cila sonte duhet të dorëzohet në KQZ.
Medie të ndryshme raportojnë se pjesë e kësaj liste nuk do të jenë disa nga “figurat kyç të PDK-së”.
“Hajredin Kuçi, Besim Beqaj, Latif Gashi, Justina Shiroka, Fehmi Mujota, Shpresa Rama dhe Bajrush Xhemajli janë anëtarët të cilët me vetëdëshirë janë tërhequr nga kjo garë”, ka thënë një burim për Telegrafin.
Mediet citojnë Hajredin Kuçin të ketë thënë se janë shfaqur të gatshëm t’u lënë mundësi tjerëve të futen në listën e cila është tkurrur shumë, pas hyrjes në koalicion me AAK-në, Nismën dhe 10 parti të tjera më të vogla.
Sipas marrëveshjes që u arrit në momentet e fundit, PDK është pajtuar t’ia japë 55 vende AAK-së dhe Nismës, ndërkohë që 55 vende duhet t’i ndajë edhe me e Partinë e Drejtësisë, Lëvizjen për Bashkim, Alternativën Demokratike të Kosovës, Partinë Republikane, Partinë Konservatore, Ballin Kombëtar dhe Partinë Liberale.
Mbledhja e radhës e kryesisë pritet të mbahet në orën 21:00.
Hajredin Kuçi, Besim Beqaj e Justina Pula jashtë listës së PDK-së
Hajredin Kuçi, Besim Beqaj dhe Justina Pula kanë pranuar të heqin dorë nga përfshirja në listën zgjedhore të PDK-së, në koalicionin me AAK-në e Nismën.
Ata janë shfaqur të gatshëm t’u lënë mundësi tjerëve të futen në këto lista, ka thënë një burim i Klan Kosovës.
Tre personat në fjalë kanë thënë se janë të gatshëm për të pranuar detyrat dhe përgjegjësitë tjera që ua jep partia, në të ardhmen dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë pakënaqësie.