Filloi konferenca e parë Evropiane e Terapisë së Gjuhës dhe të Folurit

Prishtinë | 06 Mar 2017 | 17:49 | Nga

Me rastin e Shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Logopedisë, në Kolegjin Heimerer filloi Konferenca e Parë Evropiane e Terapisë së Gjuhës dhe të Folurit.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), përfaqësues nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Anglia, Skocia dhe Amerika.

Hapja e konferencës është bërë nga Drejtori i Kolegjit Heimerer, Petrit Beqiri, i cili i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe tregoi edhe njëherë rolin e profesionit të logopedit në Kosovë dhe sfidat më të cilat ballafaqohen si pacientët po ashtu edhe logopedët dhe njëherësh i falënderoi edhe të gjithë studentët, bashkëpunëtorët dhe mysafirët të cilët vazhdojnë të bëjnë punë të mrekullueshme për të ngritur vetëdijen për rëndësinë e logopedit tek popullata si dhe u promovua dokumentari “Të jetosh me Disfagi” i cili është realizuar nga studentët dhe asistentët e Kolegjit Heimerer.
Më pas, Lulavere Behluli nga MAShT përgëzoi Kolegjin për këtë organizim duke u shprehur që kjo konferencë është me interes shumë të veçantë për Ministrinë e Arsimit dhe të gjitha institucionet relevante në vend për zhvillim të këtyre profesioneve duke pasur parasysh mungesën e këtyre shërbimeve dhe nevojës së madhe të pacientëve për to.

Ndërkaq Arbërie Nagavci, drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, u shpreh se sfidë nuk e kemi vetëm mungesën e logopedëve, por sfidë ende mbetet infrastruktura, kushtet, pajisjet por edhe kompetencat e mësimdhënësve. Po ashtu, zonja Nagavci u shpreh shumë e kënaqur me reflektimet pozitive që i ka marr nga përfaqësuesit e shkollave të ndryshme të Komunës së Prishtinës, ku studentët e Kolegjit Heimerer e kanë mbajtur praktikën, ku ata kanë treguar një përkushtim shumë të madh në punë. Në fund, drejtoresha Nagavci potencoi gatishmërinë e Komunës së Prishtinës për të përkrahur konferenca dhe iniciativa të tilla në mënyrë që në të ardhmen këto profesione të arrijnë në nivelin e shteteve evropiane.

Sot, po ashtu u prezantua edhe tema “Historia e Logopedisë në Evropë” nga znj. Eva Maria Roenmayr Khemiri, eksperte e logopedisë nga Austria, pastaj “Bërja e më të mirës në familje” nga Clare Sheridan, eksperte e rehabilitimit koklear nga Anglia dhe në fund do të mbahet debati me temën “Funksionalizimi i Shërbimeve Logopedike në Sistemin Shëndetësor Kosovar”, ku debatues do të jenë; GazmenTahiraj nga Shoqata Kosovare për Promovimin e Arsimit Gjithëpërfshirës, znj. LulavereBehluli nga MAShT, ArmendMustafa nga Ministria e Drejtësisë, Arbërie Nagavci nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës, Afrim Maliqi nga Hendikos dhe Gjoke Osmani nga SHFMU “Selman Riza” Gjakovë.

Logopedia është profesion i ri shëndetësor në Kosovë i cili ofrohet nga Kolegji Heimerer. Logopedia merret me vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve dhe të rriturve të cilët kanë lloje të ndryshme të problemeve në të folur, gjuhë dhe komunikim, me ata të cilët kanë vështirësi në gëlltitje, si dhe në shkrim e lexim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme