Filmat kosovarë që u prezantuan në botë

Prishtinë | 20 Dhj 2016 | 16:31 | Nga

Qendra Kinematografike e Kosovës ka vazhduar fuqishëm prezencën në botë me filmat më të ri që i ka mbështetur. Kulmi i suksesit të këtij viti padyshim është nominimi i filmit “Shok” për Oscars. Kjo ngjarje i dha një vëmendje të madhe filmit dhe vendit tonë sidomos nga prezenca e ekipit dhe e dy aktorëve të vegjël në tepihun e kuq të ceremonisë së ndarjeve të çmimeve.

Përveç këtij suksesi Kosova edhe këtë vit ishte pjesë e festivaleve të kategorisë “A” dhe të festivaleve tjera ku veçohet: filmi “Home Sweet Home” nga Faton Bajraktari me premierë ndërkombëtare në Karlovy Vary, “Drums of Resistance” nga Mathieu Jouffre dhe Besa Luci me premierë në Sarajevo Film Festival, “Eho” nga Dren Zherka me premierë në Montreal World Film Festival, ku edhe fitoi çmimin “Silver Zenith for the First Fiction Feature Film”, si dhe premiera e filmit të shkurtër “Home” nga More Raça në  Raindance Film Festival.

Gjatë këtij viti QKK ka vazhduar prezantimin në festivalet më të mëdha, me qëllimin e promovimit të filmave kosovar në tregjet e filmit si: festivali Berlinale ku u shfaq filmi “Babai” nga Visar Morina në programin Lola@Berlinale, pastaj Cannes, American Film Market etj.

Në këtë vit janë subvencionuar 18 projekte të reja filmike,prej të cilave 4 projekte filmike në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë artistik, 3 projekte në kategorinë e koproduksionit minor, 4 projekte në kategorinë e filmit të metrazhit të shkurtër artistik, 1 në kategorinë e filmit dokumentartë metrazhit të gjatë ndërsa 3 në kategorinë e filmit dokumentar të metrazhit të shkurtër, 1 projekt  në kategorinë e filmit të animuar dhe 2 projekte filmike të studentëve.

Këtë vit është nënshkruar vazhdimi i Memorandum Mirëkuptimit me shkollën e filmit dhe televizionit të Akademisë së Arteve të bukura në Pragë – FAMU, me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës, për të bashkëpunuar në ofrimin e mundësisë së edukimit audio-vizual për qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti për studentët e kësaj fushe.

Gjatë këtij viti, rreth 18 filma në kategori të ndryshme kanë filluar xhirimet ndërsa 12 filma kanë pasur premierën kombëtare/ndërkombëtare.

QKK në vitin që vjen do të vazhdoj mbështetjen dhe promovimin e filmave të saj në tregjet më të mëdha të filmit dhe do të ruaj prezencën e saj në festivalet e mëdha si: Festivalit i Filmit në Berlin, Cannes, Karlovy Vary, Tribeca Film Festival, Sarajevo Film Festival, Antalya Golden Orange Film Festival, Vilnius Film Festival etj.

Po ashtu, do të vazhdojë mbështetjen e filmave të diplomës sipas marrëveshjes me Universitetin Hasan Prishtina – Fakultetin e Arteve dhe do të vazhdojë mbështetjen e studentëve për programin Master në shkollën çeke të filmit FAMU sipas marrëveshjes mes QKK-së, MKRS-së dhe FAMU-së, si dhe aktivitetet e tjera vjetore.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme