Filmi “The Kissing Booth 3” tashmë është xhiruar

Prishtinë | 28 Kor 2020 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Vazhdimi i dytë i filmit të njohur për tinejxherë “TheKissing Booth”, sapo ka debutuar në platformën digjitale Netflix, por aktorët protagonist të këtij projekti, tashmë e kanë konfirmuar lajmin se edhe vazhdimi i tij i tretë është xhiruar në të njëjtën kohë.

Filmi i tretë i cili i rikthen aktorët, Joey King dhe Jacob Elordi, në rolet e protagonistëve Elle dhe Noah, aktualisht është në post-produksion dhe pritet të debutojë në Netflix në vitin 2021, transmeton Koha.

Në film po ashtu luajnë aktrorët, Joel Courtney, Taylor Zakhar Perez, Maisie Richardson-Sellers dhe Molly Ringwald.

Ndërkohë, aktorja shumë e njohur për publikun, Joel King, përmes një interviste për YouTube ka deklaruar që ka qenë shumë e vështirë ta mbante sekret faktin se vazhdimi i dytë dhe i tretë i “Kissing Booth”, është duke u xhiruar në të njëjtën kohë.

Ajo po ashtu i falënderoi fansat për përkrahjen që ia kanë dhënë këtij projekti, duke e mundësuar vazhdimin e realizimit të tij.

Vazhdimi i dytë i filmit e sjellë historinë e Noas i cili tashmë ka filluar t’i ndjekë studimet në kolegjin “Harvard”, derisa e dashura e tij Elle vazhdon ta ndjekë vitin e fundit të shkollës së mesme në Los Angeles. Dyshja mundohet ta ruaj lidhjen e tyre në distancë, por ballafaqohet me disa probleme dhe sfida si pasojë e dy personazheve të reja në jetët e tyre, Marco i portretizuar nga aktori Taylor Zakhar Perez dhe Chloe e portretizuar në film nga Maisie Richardson-Sellers.

Ndërsa filmi i tretë do ta vazhdojë historinë nga aty ku përfundon vazhdimi i dytë, kur Elle nuk është e sigurt se ku dëshiron ta ndjekë kolegjin.

Filmat “The Kissing Booth” bazohen në librat e autores Beth Reekles, dhe filmi i parë me t’u lansuar në platformën Netflix, ishte shndërruar në filmin më të shikuar të vitit 2018.

Vince Marcello do të rikthehet në rolin e regjisorit edhe me filmin e tretë, për ta sjellë në jetë skenarin të cilin e kishte shkruar bashkë me Jay Arnoldin.

Të ngjashme