Ministrja e Punëve të Brendshme e Bullgarisë, Ekaterina Zahrieva, në një intervistë për televizionin bullgar, deklaroi se teksti i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Maqedoni është finalizuar dhe se Bullgaria nuk ka për qëllim që të zhvillojë më tepër bisedime.
Në lidhje me kërkesën e disa partive opozitare që të pranohet ekzistenca e pakicës maqedonase në Bullgari, ajo tha se nuk bëjnë negociata me parti, por me Qeverinë.
“Nuk kemi qëllim që të zhvillojmë më asnjë lloj të bisedimeve. Kjo është Marrëveshja që do të nënshkruaj Bullgaria. Shpresojmë që do të mbështetet edhe nga Parlamenti. Klauzola e gjuhës është e qartë që nga viti 1999. Ajo nuk është ndryshuar. Marrëveshjet në parim nuk njohin as gjuhë, as popull, ndërsa klauzola e gjuhës është e qartë që nga viti 1999”, deklaroi Ekaterina Zahrieva, ministrja për Punë të Brendshme.
Ajo gjithashtu potencoi se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet 2 vendeve. Sipas saj,dhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani Marrëveshja do të nënshkruhet me 2 gusht në Shkup në dy gjuhët zyrtare bullgare dhe maqedonase.
“Në pjesën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, respektivisht çështjes së hapur me Bullgarinë besoj se do të mbyllet në 2 gusht me nënshkrimin e marrëveshjes”, Bujar Osmani-zëvendëskryeministër.
Nga ana tjetër VMRO-DPMN ka reaguar ndaj deklaratës së ministres për Punë të Brendshme Ekaterina Zahrieva se marrëveshja është përmbyllur. Ata kërkojnë urgjentisht seancë të hapur në lidhje me Marrëveshjen me Bullgarinë. Ata kërkojnë që publiku të dijë se çfarë do të jetë e nënshkruar dhe se sa kjo marrëveshje është në dobi te Bullgarisë dhe në dëm të Maqedonisë.
“Për kryeministrin bullgar do të jetë një fitore kur do të nënshkruaj një marrëveshje në të cilën nuk ekziston termi “populli maqedonase”, ndërsa për kryeministrin maqedonas dhe Maqedoninë si shtet, do të jetë dështim përderisa do të nënshkruhet një tekst që nuk e njeh popullin maqedonas si popull konstituiv në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMN.
Ditë më parë, seancës së Komisionit për Politikë të Jashtme për Draft Marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, i parapriu një debat i gjatë midis pushtetit dhe opozitës kurse kryeministri Zaev deklaroi se Marrëveshja mbron interesat nacionale.