Flet avokati i Xhavit Halitit, thotë se prokuroria e shkeli autoritetin e deputetit

Prishtinë | 16 Kor 2019 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Një përplasje fizike mes deputetëve Xhavit Haliti, Gani Dreshaj e Arben Gashi, u ka kushtuar dy të parëve me aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Ata po dyshohen për veprën penale të sulmit dhe kanosjes ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashit, shkruan lajmi.net.

Në lidhje me këtë, ka reaguar pak më parë edhe deputeti Dreshaj.

Ai ka thënë se është nga personat e fundit që duhet t’i frikësohet drejtësisë në Kosovë.

Në lidhje me rastin në fjalë, lajmi.net ka kontaktuar me Kujtim Kërveshin, avokatin e deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti.

Ai ka thënë se nga Prokuroria në Prishtinë e ka pranuar aktin akuzues për veprën në fjalë.

Megjithatë, sipas tij në këtë rast nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale.

Madje sipas tij, edhe nëse do të kishte vepër penale, Prokuroria ka ndërhyrë në institucione ligjore t njohura, dhe do të duhej ta kishte parasysh kufizimin e autoritetit të saj.

“Ju njoftoj se kam pranuar aktin akuzues të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Konsideroj se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me vepër penale. Edhe po të kishte vepër penale për të mbrojturin tim, konsideroj se Prokuroria e Shtetit ka ndërhyrë në Institucione Ligjore të njohura edhe pse do ta duhej ta kishte parasysh kufizimin e autoritetit të saj ndaj imunitetit funksionale”, ka thënë ai.

Kjo ngase sipas tij, bëhet fjalë për një deputet i cili ka qenë duke e ushtruar deyrën zyrtare në momentin kur ka ndodhur rasti.

Lajmi.net paraprakisht ka kontaktua edhe me vetë deputetin Haliti, i cili është përgjigjur shkurt dhe jo fort kuptueshëm, duke udhëzuar të flitet me avokatin e tij.

“Çfarë aktakuze bre, kontaktoni me avokatin tim”, ka thënë shkurt Haliti. 

Të ngjashme