Fondi Sovran cilësohet si reforma më e madhe ekonomike, ka mëdyshje për funksionimin e tij

Prishtinë | 16 Maj 2023 | 18:50 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti D4D në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung kanë mbajtur panelin e diskutimit “Fondi Sovran i Republikës së Kosovës: A ekziston potenciali për menaxhim të suksesshëm të aseteve shtetërore dhe si ndikon në zhvillim ekonomik”.

Në këtë panel u tha se Fondi Sovran i Republikës së Kosovës (FSRK) është ndër reformat më të mëdha ekonomike që është bërë ndonjëherë në Kosovë, e se si i tillë do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Mirëpo, në këtë panel diskutimi pati edhe skepticizëm sa i përket funksionimit të Fondit në praktikë.

Mentor Hyseni, udhëheqës i ekipit të ekspertëve të fushës së ekonomisë në FSRK, tha se qëllimi i këtij fondi është zgjerimi i veprimtarive nëpër ndërmarrje publike, krijimi i sinergjisë në këto ndërmarrje dhe zhvillimi ekonomik.

Ai tha se ky fond parasheh edhe investime në sektorin privat, në fusha të caktuara.

“Qëllimi i fondit është që t’i bëjë profitabile ndërmarrjet publike. Kjo bëhet duke e bërë konceptin e qeverisjes në këto korporata. E kjo i jep mundësi që të krijohen edhe ndërmarrje të reja. Fondi synon zgjerimin e veprimtarisë tek një ndërmarrje. Qëllimi i fondit është më shumë zgjerimi i veprimtarive nëpër ndërmarrje publike, krijimi i sinergjisë dhe zhvillimi ekonomik. Kjo rezulton me uljen e deficitit tregtar që Kosova fatkeqësisht sot e ka të lartë. Fondi parasheh edhe investime tekë sektori private. Fondi seleksionon fusha te caktuara të investimit në sektorin private, në ato fusha që ndikojnë në ekonomi. Ndërmarrjet do të vazhdojnë që të funksionojnë si të ndara me bordet e tyre, vetëm se fondi e luan rolin e njësisë monitoruese për ndërmarrjet publike. Qeveria e Kosovës nuk do të ketë dorë në fond që të përzihet në fushën e operacioneve, fondi do të raportohet në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

Hyseni tha se ky Fond parashihet që të funksionalizohet dy vite pas miratimit të ligjit në Kuvendin e Kosovës.

“Fondi do të kujdeset që problemet që kanë ndërmarrjet në AKP nuk do të barten në Fond. Në parim draftligji e parasheh një periudhë prej dy viteve, të transferimit të pronave. Brenda këtyre dy viteve mendojmë se fondi do të funksionalizohet, nga miratimi i ligjit në Kuvend”, tha ai.

Gent Nushi, ekspert Ligjor në fushën komerciale, anëtar i grupit punues të FSRK, tha se për këtë fond janë marrë disa modele të ndryshme nga shtetet e tjera, sipas tij Fondi është reforma më e madhe ekonomike që është bërë ndonjëherë në Kosovë.

“Qeveria në programin e vet ka pasur si prioritet krijimin e fondit sovran. Është paraparë që të hartohet një ligj i veçantë për këtë fond. Gjatë përpilimit të ligjit kemi marrë modele si modelin slloven, grek, modeli i Singaporit si dhe modeli Irlandez”.

“Kjo është reforma më e madhe ekonomike që është bërë ndonjëherë në Kosovë. Kjo parasheh bartjen e aseteve të cilat janë në AKP-ja”, tha ai.

Sejdi Rexhepi, profesor universitar, u shpreh skeptik sa i përket funksionimit të këtij Fondi sepse, sipas tij, zbatimi në praktikë do të jetë i vështirë.

“Nga ajo që kam lexuar unë shihet se menaxhimi i ndërmarrjeve publike nuk është ne nivelin që duhet dhe se qeveria po ndërmerr hapa në këtë drejtim. Ashtu siç e kam parë materialin në koncept dokument është një përmbajtje shumë komplekse. Zbatimi në praktikë do të ballafaqohet me shumë vështirësi. Bartja e krejt përgjegjësisë në një etnitet është problematik, sepse do të krijojë dy nivele të menaxhimit. Do të jetë shumë vështirë që diçka që paramendohet të realizohet në praktikë. Riorganizimi i tyre do të ballafaqohet me shumë probleme. Dilemat e mija i kam se ky ligj prek edhe shume ligje të tjera sistemore. E shoh si problematikë edhe transformimin e pasurisë. E shoh një periudhë tranzicioni shumë të gjatë”, tha ai.

Të ngjashme