Forumi i sektorit të ushqimit – Sfidat e eksportit, përdorimi i AI dhe rritja e bizneseve lokale

Prishtinë | 14 Nën 2025 | 14:46 | Nga Gzim Mujaj

Forumi i Pestë i Sektorit të Ushqimit ka zhvilluar sot dy panele diskutimi ku është trajtuar eksporti, sfidat e prodhuesve vendorë, përdorimi i AI në vendimmarrje dhe lidhja e bizneseve përmes platformave digjitale, raporton Ekonomia Online.

Në panelin e parë u theksua rëndësia e procedurave efikase të eksportit dhe standardeve të cilësisë, ndërsa në panelin e dytë u ngritën çështjet e financimit, fuqizimit të grave në bujqësi dhe domosdoshmëria e përshtatjes së sektorit me ndryshimet klimatike.

Në Panelin e parë Procedurat dhe sfidat për eksport Përfaqësuesi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Kujtim Uka, tha se AUV çdo vit përgatit planin e saj duke u bazuar në numrin dhe rrezikun e vlerësimit për atë produkt, si dhe përgatit numrin e inspektimeve dhe mostrave që duhet të ndërmerren.

“AUV çdo vit përgatit planin e saj duke u bazuar në numrin dhe rrezikun e vlerësimit për atë produkt, si dhe përgatit numrin e inspektimeve dhe mostrave që duhet të ndërmerren. Në bazë të raporteve që kemi deri më tani nuk kemi ndonjë shkaktim të sëmundjeve me ushqim, që është indikator i mirë, që do të thotë se operatorët e bizneseve punojnë sipas standardeve të kërkuara. Po ashtu, vlerësimi i inspektorëve tanë tregon avancimin më të lartë të kompanive tona private që kanë për synim eksportin e produkteve ushqimore”, tha ai.

Nga Dogana e Kosovës, Sabit Brava, theksoi se kërkesat e bizneseve janë që kalimi të bëhet pa vonesa.

“Dogana e Kosovës po zhvillon parimin e kontrollit në risk. Riski selekton shumicën e eksporteve në procedurë direkte në doganë. Që nënkupton se subjekti ka për obligim vetëm të deklarojë deklaratën, kurse udhëzimi janë 94 për qind të atyre që paraqiten në doganë kalojnë direkt. Do të thotë 100 kamionë, 94 kamionë kalojnë pa asnjë vonesë. Kemi 96 për qind të eksporteve që janë realizuar brenda 30 minutave, pra 30 minuta procedurë”, tha ai.

Përfaqësuesja e kompanisë Agro Krusha, Emire Duraku, tha se si kompani kemi pasur sfida për eksport deri në certifikimin e ISO standardeve.

“Ne si kompani kemi pasur sfida për eksport deri në certifikimin e ISO standardeve. Përqendrimi i kompanisë ka kaluar në cilësi, të kemi përqendrim më të madh për kalimin në tregjet e Evropës. Sfida ka pasur, por ka pasur vullnet shumë të madh. Një falënderim të veçantë është për bashkatdhetarët, artikujt ‘made in Kosova’ janë duke kaluar në vazhdimësi në tregun e Evropës, edhe më gjerë, edhe në vendet skandinave ka arritur”, tha ajo.

Edhe përfaqësuesi i kompanisë GRASEP, Dorart Ajeti, theksoi rëndësinë e eksportit për zhvillimin e kompanisë.

“Eksporti për kompaninë tonë ka qenë ftesa kryesore për me na dërgu nga një nivel në tjetrin. Eksporti i parë për ne ka ndodhur në këtë sallë. Neve na ka ndihmuar eksporti që të rritemi, na ka ndihmuar që të rrisim cilësinë e produktit, sidomos nëse e targeton kompani serioze për eksport. Sepse varet edhe kë e targeton”, tha ai.

Më tej, Valon Canhasi nga Hallakate prezantoi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në vendimmarrje për bizneset prodhuese.

Ndërsa Viola Xhemajli nga Fondacioni AgroDev prezantoi platformën Agro B2B, e cila ndihmon lidhjen e bizneseve me blerësit online.

Në Panelin e dytë  Potenciali dhe sfidat e prodhuesve vendorë Përfaqësuesja e Extra Fruit Fillings, Agnesa Bushrani, tha se kompania merret me prodhimin e lëndës së parë dhe gjatë zhvillimit ka hasur në sfida të ndryshme.

Sipas saj, bankat kanë qenë faktor kyç për zhvillimin e biznesit, shtyrjen dhe modernizimin e makinerive.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Kosovo Ë4Ë, Iliriana Gashi, tha se organizta e tyre ka filluar me i zhvillu idetë e tyre, me nxit ndërmarrësinë te këto gra.

“Kosovo Ë4Ë ka mbi 20 vite që punon me gra që kanë potencial në bujqësi. Organizata jonë ka filluar me i zhvillu idetë e tyre, me nxit ndërmarrësinë te këto gra. Siç po shihet, ka pasur sukses e gati sot më shumë ndërmarrëse. Përgjigja ime është të besojmë në to e t’i shtyjmë përpara”, tha ajo.

Ndërsa Zenel Bunjaku nga IADK tha se ministritë  duhet me u fokusuar shumë në ndryshimet klimatike, programet e tyre duhet me u përshtat shumë në futjen e digjitalizimit dhe futjen e sensorëve në prodhimtari të ndryshme.

“Ministria e Bujqësisë edhe ministritë e tjera tani e tutje duhet me u fokusuar shumë në ndryshimet klimatike, programet e tyre duhet me u përshtat shumë në futjen e digjitalizimit dhe futjen e sensorëve në prodhimtari të ndryshme. Duhet me u fokusuar shumë në politikat që i angazhojnë të rinjtë dhe të rejat, sidomos ata që jetojnë në zonat rurale, sepse çdo ditë e më shumë shumë fshatra kanë mbetur të zbrazëta. Ato këto programe në bashkëpunim me komunat duhet të fokusohen”, tha ai.

Të ngjashme