Forumi Intelektual “Europa 2030” dhe koalicioni “Për Kosovën Fitues”, ka prezantuar sot kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, raporton Ekonomia Online.
Në emër të këtij grupi politik, profesori Sadik Haxhiu në hapje të këtij tubimi tha se janë të përbashkuar që të promovojnë kandidatët në listën e përbashkët të “koalicionit tonë të madh AAK-ja, Nisma Socialdemokrate e Kosovës, Konservatorët e Kosovës, si dhe Lista Ideali”.
Ndërsa, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka falënderuar pjesëmarrësit e këtij forumit, profesorë e akademik për angazhimin e tyre në proceset politike për të ardhmen e vendit dhe zhvillimin.
Ai ka folur për kandidatët duke prezantuar dhe Artan Nimanin që i është bashkuar këtij grupi, si “shqiptar i mirë dhe i punës”, të cilit i ka ndarë dhe dekoratën “Me besim në Zot, Atdhe dhe Shtet”, me motivacionin për kontribut në çështje kombëtare, duke ia atribuuar këtë dhe të gjithë kandidatëve tjerë.
“Ju bashkë dhe ne ta ndihmojmë vendin në këtë etapë. Edhe pse sot nuk është luftë megjithatë njëjtat të arritura të sakrificës tanë ndër shekuj po angazhohemi dhe ne sot. Vendi ynë ka mbërritur një situatë jo të mirë, dhe kjo situatë është e tillë që karakterizohet me shumë humbje për vendin. Lista e humbjeve për Kosovën është e madhe, e gjatë dhe është e frikshme, duke filluar nga ikja e të rinjve, po humbim të rijnë dhe më tutje. Pra është dashur që një ditë të ndalet ky trend dhe sa më shumë që të vonohemi pasojat janë shumë tragjike për neve, për Kosovën, për vendin tonë për jetën tonë”, tha Haradinaj.
Ai ka thënë se Kosova ka humbur dhe vlerën e shtuar në ekonomi, gjenerimin ekonomik.
“Me një qeveri që është ndëshkuese që shpall armiq krijuesit e vlerës në ekonomi. Të gjithë ata që gjenerojnë ekonomi”, tha mes tjerash Haradinaj.
Kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj tha se vendit i duhet një drejtues që di sesi ta drejtoj vendin.
“Nga përvoja jonë politike e deritanishme ne besojmë që një drejtues për të qenë i suksesshëm dhe të dal ballëhapur para vendit të tij , dhe një vend që të jetë i sigurt dhe për të shkuar drejt objektivave të tij , drejtuesi i saj duhet të ketë së paku, e posaçërisht dy karakteristika, pa të cilat nuk duhet të drejtohet vendi. Drejtuesi duhet ta dojë atdheun e vet dhe drejtuesi duhet të di sesi të drejtoj vendin e vet”, tha ai.