Forumi i prodhuesve në Shëngjin promovon produktet shqiptare

Shëngjin | 01 Pri 2017 | 21:02 | Nga

Ministra nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, përfaqësues të dhomave të tregtisë së tre vendeve, sipërmarrës shqiptare, janë bashkuar sot në Shëngjin në takimin e Forumit të Prodhuesve shqiptare, – forum që ka si qëllim të promovojë prodhimet dhe produktet në trojet shqiptare, të krijojë ura lidhëse mes sipërmarrësve, të ndikojë pë të rrëzuar barrierat tregtare mes tre vendeve, për të funksionuar si një treg i përbashkët.

Në këtë takim merrte pjesë ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Shqipërisë, Milva Ekonomi; ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami; si dhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Driton Kuqi.

Shoqata e Prodhuesve shqiptare, Klubi i prodhuesve të Kosovës dhe Oda Ekonomisë e Maqedonisë Veripërëndimore, janë angazhuar së bashku duke krijuar Forumin e Përbashkët të Prodhuesve, për një ekonomi të fortë të trevave shqipfolëse. Në këtë takim u zgjodh dhe kryetari i parë i këtij forumi, Nagip Fejzi nga Gostivari, një ndër prodhuesit e suksesshëm shqiptarë dhe siç quhet ambasador i prodhimeve shqiptare në rajon e në botë.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja kosovare, Hykmete Bajrami, tha se krijimi i një ambienti të përshtatshëm për të bërit biznes nuk është çështje e cila kufizohet vetëm brenda kufijve të shteteve, dhe ne si qeveri po punojmë në terma praktikë që të lehtësojmë qarkullimin e produkteve dhe shërbimeve ndërmjet vendeve tona.

Më tej, ministrja Bajrami theksoi se është sfiduese që të operohet në tregje tejet konkurruese në kontekstin evropian dhe rajonal, dhe se të tri vendet tona duhet të bëjnë më shumë së bashku në mënyrë që të stimulojmë prodhuesit tanë dhe të rrisim aftësinë konkurruese të tyre. Kjo nuk mund të bëhet nga ana e institucioneve në mënyrë të vetme dhe as nga ana e bizneseve; ky duhet të jetë një aktivitet i përbashkët, tha ajo.

Bajrami nënvizoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka punuar shumë gjatë këtij mandati që të përmirësojë ambientin e biznesit, dhe kjo ka ndikuar pozitivisht në rritjen e efikasitetit dhe performancës së bizneseve. “Dyert e Qeverisë së Republikës së Kosovës kanë qenë të hapura për prodhuesit e ndryshëm; kemi komunikuar dhe kemi dëgjuar brengat e tyre, bashkërisht i kemi zgjidhur apo adresuar këto probleme,” shtoi tha ajo.

Bajrami theksoi se shembulli më i mirë në këtë drejtim është ai i pakos fiskale, ku Ministria e Financave e ka filluar pakon e dytë fiskale me 7 masa dhe sot, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin e biznesit, ne kemi 22 masa të përfshira të cilat brenda pak kohe do të aprovohen në Qeveri. “Ne po e shohim se ende nuk kemi një integrim të mjaftueshëm të tregjeve tona; janë procese që marrin kohë, por që ministritë e linjës po punojnë në këtë drejtim”, vlerësoi ajo.

Ministrja Bajrami i inkurajoi prodhuesit e të trija vendeve që të punojnë më shumë me konsumatorët dhe të rrisin nivelin e bashkëpunimit reciprok në mënyrë që të shtohet volumi i shkëmbimeve tregtare dhe të fuqizohet aftësia e përbashkët konkurruese.

Ministrja Bajrami shprehu zotimin e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur bizneset në këtë rrugë të progresit sepse kjo është rruga e duhur e rritjes së ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve të vendeve tona.

Duke përshëndetur idenë e këtij forumi, ministrja Milva Ekonomi në fjalën e saj tha se Qeveria po përpiqet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të lehtësuar punën e biznesit në vend, për të eliminuar barrierat tregtare të panevojshme duke dëgjuar zërin e biznesit. Gjithashtu përmes panaireve të përbashkëta si ai I 28 Nëntorit jemi munduar të komunikojmë te qytetari mesazhin Bli Shqip, Konsumo Shqip. Ajo tha se ky forum do të jetë një pikë e mirë reference për të dëgjuar më shumë rreth problemeve tregtare që hasin prodhuesit e tre vendeve dhe t’i adresojmë ato. Ajo tha se procesi i Berlinit kërkon pikërisht krijimin e një tregu të përbashkët (single market) në Ballkanin perëndimor dhe për të arritur këtë ne duhet të funksionojmë më mirë mes nesh në trevat shqipfolëse.

Ministri i Maqedonisë, Kuçi, u shpreh se ka në fakt problematika që shfaqen mes shkëmbimeve tregtare shqiptare e maqedonase kryesisht për produktet bujqësore, dhe kemi diskutuar me Ministren Ekonomi dhe Panariti për t’i lehtësuar barrierat në këtë drejtim. Ai tha se vërtet Maqedonia ka disa probleme politike për momentin, por vullneti për të zgjidhur problemet e biznesit nuk mungon. Ai kërkoi që të gjitha çështjet që do dalin nga ky forum duhet t’i dërgohen për zgjidhje qeverive respektive dhe kështu të adresohen më mirë.

Përfaqësuesit e Dhomave të Tregtisë së tre vendeve shtruan disa probleme të ngutshme që duhet të zgjidhen për të nxitur tregtinë e produkteve shqiptare mes tre vendeve, si: heqjen e barrierave tarifore dhe jo tarifore, liberalizimin e kufirit doganor, heqjen e tarifes së skanimit doganor, njohja e faturës së TVSH së Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas, dhënia e pasaportave me dyshtetësi për sipërmarrësit kosovare, krijimin e paketave promocionale për të krijuar besim të konsumatori shqiptar duke kërkuar që dhe sipërmarrja të plotësojë standarde të larta të prodhimit të produkteve.

Takimi u mbyll me bindjen se ky forum do jetë një zë i fuqishëm për të ndikuar te tre qeveritë që të lehtësohet biznesi dhe shkëmbimi tregtar mes tre vendeve. “Herë tjetër kur të ulemi në tryeza të tilla duhet që në tavolinat tona të kemi vetëm produkte shqiptare”, tha kreu i forumit, Nagip Fejzi. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia nuk duhet të kenë më retorikë por agjendë të saktë se ku duhet të shkojnë së bashku për të garantuar që produktet shqiptare të dominojnë në të gjitha trevat shqiptare në rajon, tha Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Të ngjashme