Franca e publikon listën e lojtarëve për Kupën e Botës, mungojnë dy yje

Prishtinë | 14 Maj 2026 | 21:54 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, publikoi të enjten listën e lojtarëve për Kupën e Botës, me një repart ofensiv shumë të fuqishëm, por pa mesfushorin e Real Madridit, Eduardo Camavinga.

Camavinga ishte pjesë e Francës në Botërorin e kaluar, ku “Gjelat” arritën deri në finale, ndërsa ai u aktivizua si zëvendësues në humbjen ndaj Argjentinës.

Deschamps i ka dhënë një mundësi portierit Robin Risser pas sezonit të tij fantastik.

Risser, i cili luan për Lensin, ka qenë një nga zbulimet e sezonit në Ligue 1 dhe vetëm pak ditë më parë fitoi çmimin si portieri më i mirë i kampionatit francez. Ai pati rol të madh që Lens të kishte mbrojtjen e dytë më të mirë në Ligue 1 dhe u përfshi nga Deschamps si portieri i tretë pas Mike Maignan dhe Brice Samba.

Franca synon titullin e tretë kampion bote dhe konsiderohet ndër favoritët kryesorë të turneut që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjelat” janë shortuar në Grupin I, ku do të përballen me Senegalin, Irakun dhe Norvegjinë.

Deschamps ka në dispozicion një arsenal të frikshëm ofensiv, ku përfshihen Kylian Mbappé, fituesi i “Topit të Artë” Ousmane Dembélé, talenti në ngritje Désiré Doué, Michael Olise, Rayan Cherki dhe Maghnes Akliouche.

Ai ka ftuar gjithashtu sulmuesin e Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta, i cili u preferua para Randal Kolo Muanit në listën prej 26 lojtarësh.

Sulmuesi i Tottenhamit ishte përfshirë në momentet e fundit në skuadrën e Francës për Botërorin e kaluar katër vite më parë. Kolo Muani kishte shënuar kundër Marokut në gjysmëfinale dhe ishte pranë të bëhej hero kombëtar në finale, para se Franca të humbiste ndaj Argjentinës pas penalltive.

Ky do të jetë turneu i fundit i Didier Deschamps në krye të Francës. Ai ka njoftuar këtë vit se do të largohet pas Kupës së Botës, duke i dhënë fund një periudhe shumë të suksesshme që nisi në vitin 2012, gjatë së cilës Franca fitoi Kupën e Botës 2018 dhe arriti finalen e vitit 2022.

Legjenda franceze Zinedine Zidane pritet ta zëvendësojë atë, megjithëse nuk ka drejtuar asnjë skuadër që prej përfundimit të mandatit të tij të dytë te Real Madridi, ku fitoi tre Liga të Kampionëve dhe dy tituj në La Liga.

Lista e Francës për Kupën e Botës 2026:

Portierë: Mike Maignan, Brice Samba, Robin Risser.

Mbrojtës: Lucas Digne, Malo Gusto, Lucas Hernández, Theo Hernández, Ibrahima Konaté, Jules Koundé, Maxence Lacroix, William Saliba, Dayot Upamecano.

Mesfushorë: N’Golo Kanté, Manu Koné, Adrien Rabiot, Aurélien Tchouaméni, Warren Zaïre-Emery.

Sulmues: Maghnes Akliouche, Bradley Barcola, Rayan Cherki, Ousmane Dembélé, Désiré Doué, Jean-Philippe Mateta, Kylian Mbappé, Michael Olise, Marcus Thuram.

Të ngjashme