Me qëllim që të forcojë aftësitë mbrojtëse të vendit, ashtu siç edhe parashihet në Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë hapa drejt procesit të standardizimit në Ministri dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Të martën e kësaj jave ka hapur për konsultim publik Projekt-rregulloren për standardizim në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK. Në këtë dokument janë përshkruar format e standardizimit dhe fushat që parashihet të mbulojë ky proces, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përveç standardizimit administrativ, atij operacional, në këtë dokument flitet edhe për standardizimin material, ku përfshihen edhe mjetet luftarake.
Qëllimi i standardizimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, sipas kësaj projekt-rregulloreje, është vendosja e standardeve ushtarake, formave, procedurave dhe rregullave të veprimit, mandej vendosja e parametrave dhe dimensioneve të kualitetit të materialeve dhe pajisjeve, proceseve të organizimit dhe strukturave të Forcës, si dhe përcaktimit të formës së koncentrimit të llojeve të sistemeve, procedurave dhe materialëve, siç thuhet, me qëllim të forcimit të aftësive mbrojtëse të vendit, përdorimit efikas dhe efektiv të burimeve dhe resurseve të mbrojtjes, si dhe arritjes dhe ruajtjes së nivelit të kërkuar të kapaciteteve operacionale dhe të ndërveprueshmërisë me forcat kombëtare dhe ndërkombëtare.