Ushtrimi fushor “Shqiponja 5” është realizuar në bazë të Planit vjetor të trajnimeve për vitin 2016, udhëzimeve të komandantit të FSK-së, për grupin punues dhe direktivave të NATO-s për ushtrime dhe trajnimeve kolektive. Skenari i ushtrimit fushor ka qenë kriza me refugjatë dhe është zhvilluar në territorin e komunës së Hanit të Elezit, Malishevë dhe Prizrenit, në të cilin ushtrim, kanë marrë pjesë gjithsej 652 pjesëtarë, me 111 automjete, ku kanë realizuar mbi 30 operacione humanitare të sigurisë.
Në Ditën e vizitorëve të Ushtrimit fushor të FSK-së “Shqiponja 5”, morën pjesë: ministri i FSK-së, Haki Demolli; komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama; komandanti i KFOR-it, gjeneral major Giovani Fungo; drejtori i NLAT-it, gjeneral brigade Dietmar Mosmman; deputetë nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së; kryetarë të komunave; komandantë të kontingjenteve të KFOR-it; ambasadorë dhe atashe të akredituar në Kosovë, si dhe mysafirë të tjerë të ftuar, të cilët nga afër përcollën operacionet e njësiteve të FSK-së, të Gardës Kombëtare të Ajovës, të Ushtrisë Amerikane për Evropë, të Policisë së Kosovës si dhe të organizatave emergjente të Kosovës.
Në qendrën operative të ushtrimit fushor në kampin fushor, shefi i Shtabit të Komandës së forcave Tokësore të FSK-së edhe drejtor i ushtrimit i njoftoi vizitorët e lartë dhe të pranishmit për procesin dhe fazat e planifikimit, organizimit dhe zhvillimit të ushtrimit fushor sipas skenarit të para caktuar.
Me këtë rast, udhëheqësit e FSK-së, Gardës Kombëtare të Ajovës, KFOR-it, etj, përcollën nga afër demonstrimet e njësive të specializuar të FSK-së, në vend incidente si intervenimin e njësisë së kërkim-shpëtimit të refugjatëve në lumin Drini i Bardhë, menaxhimin e hyrjes së refugjatëve në pikën kufitare, intervenimin e njësisë së Brigada e Reagimit të Shpejtë (BRSH), në zonën kufitare për të eliminuar elementet e grupit kriminal “Pandora” si dhe vizitën në Kampin e refugjatëve.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli, në fjalën e tij para mediave dhe pjesëmarrësve të ushtrimit ka përgëzuar FSK-së, si dhe oficerët e Gardës Kombëtare të Ajovës, Ushtrisë Amerikane për Evropë të KFOR-it, dhe Policisë së Kosovës dhe agjencitë tjera të Kosovës për zhvillimin me sukses të ushtrimit fushor Shqiponja 5.
Ministri Demolli u nda i kënaqur me profesionalizimin e treguar në këtë ushtrim të FSK-së, ku me këtë rast përgëzoj komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Ramën për suksesin e FSK-së, të treguar gjatë ushtrimit më të madh të FSK-së.
Ministri Haki Demolli para mediave tha se qëllimi i këtij ushtrimi fushor është që të testohen respektivisht të demonstrohen dhe dëshmohen dhe verifikohen në radhë të parë kapacitetet njerëzore, ushtarake të FSK-së, dhe kapacitete teknike për sfidat e ndryshme qoftë ato të karakterit humanitar por edhe të karakterit të sigurisë. Ky demonstrim i kapaciteteve të FSK-së është zhvilluar në praninë dhe vëzhgimin e vëzhguesve ushtarak të vendeve mike që kanë qenë të pranishëm gjatë ushtrimit. Kemi pas vëzhgues ushtarak nga Shqipëria, Maqedonia, Kroacia si dhe nga Sllovenia, Nga ajo që pamë ne, mund të themi lirisht se FSK-ja është e gatshme për t’i kryer funksionet, aktivitet dhe veprimtarit e parapara sipas mandateve kushtetuese dhe ligjore të FSK-së. Që do të thotë ta ndërroj mandatin dhe misionin e vet dhe të transformohet në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Demolli u pyet nga gazetarët se kur pritet të bëhet transformimi i FSK-së në ushtri.
“Ne si ministri dhe FSK i kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura për transformim të FSK-së në FA si janë, amandamentet kushtetuese dhe draft ligjin për transformimin e FSK-së në FA i kemi proceduar te organet kompetente përkatësisht te Qeveria e Kosovës dhe varet nga zhvillimet politike se kur kryesia e kuvendit do të vlerësoj kohën e duhur dhe sigurisht se do ti procedojë më tutje. Por ajo çka dua të them është se ne si FSK dhe ministri e FSK-së jemi të gatshëm në çdo kohë të transformohemi në FA”, ka thënë Demolli.
Kurse komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama u shpreh tejet i kënaqur me demonstrimet gjatë ushtrimit të sotëm. Ai pos tjerash tha se Operacionet dhe aktivitetet e Ushtrimit “Shqiponja 5” janë dëshmi që FSK-ja ka kapacitete për kryerjen e detyrave qe aktualisht i ka të përcaktuara me mision. “Ushtrimi ka dëshmuar se jemi të aftë të ndër veprojmë me institucione vendore dhe ndërkombëtare. Testimi i suksesshëm i njësive dhe suksesi i arritur dëshmon që FSK është e gatshme për detyra dhe përgjegjësi të reja”.
Objektiv i Ushtrimit fushor “Shqiponja 5” ishte trajnimi i liderëve dhe njësive për detyrat kolektive, me qëllim të realizimit të operacioneve komplekse në mbështetje të autoriteteve civile në fazën e planifikimit, ekzekutimit si dhe atë të analizimit, thuhet në një njoftim të MFSK-së. Mbajtja e nivelit të gatishmërisë operacionale dhe të zhvillohen aftësitë ekzistuese, përmirësimi i koordinimit me institucionet e tjera të sigurisë në operacion, dislokimi i forcave nga vend bazimi i përhershëm në zonën e operacionit dhe implementimi i sistemit të mësimeve të mësuara.