FSK-së i anulohet tenderi për pajisjen me autoblinda amerikane

Prishtinë | 01 Sht 2017 | 19:50 | Nga

Tenderi për pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës me automjete të blinduara të tipit HMMW nga një kompani amerikane, është anuluar për këtë vite.

Arsyeja e anulimit të këtij tenderi, sipas zyrtarëve të FSK-së, është sepse kompania amerikane ka njoftuar se nuk mund të nis prodhimin e tyre të porositur sipas specifikave deri vitin e ardhshëm.

Zëdhënësi për informim i FSK-së, Ibrahim Shala, në një prononcim për Indeksonline, ka njoftuar se për shkak se kjo datë tejkalon vitin fiskal 2017, ata kanë qenë të obliguar ta ndërpresin procedurën tenderuese dhe për këtë është njoftuar edhe prodhuesi dhe institucionet tona përkatëse.

“Ju njoftojmë se është ndërprerë procedura e prokurimit për blerjen e automjeteve taktike të blinduara të tipit HMMË, për shkak të informacionit të marrë nga prodhuesi në SHBA, se ai për shkak të procedura administrative dhe lejes së eksportit, distribuimin e automjeteve nuk mund ta bëjë para 23 majit 2018. Për shkak se kjo datë tejkalon vitin fiskal 2017, kemi qenë të obliguar ta ndërpresim procedurën tenderuese dhe për këtë kemi njoftuar prodhuesin dhe institucionet tona përkatëse”, ka thënë Shala.

Ai ka theksuar se i tërë procesi është realizuar në pajtueshmëri me këshilltarët e NATO-s, dhe autoritetet vendore.

“I tërë ky proces është realizuar në pajtueshmëri të plotë të ministrit të FSK-së, komandantit të FSK-së, Sekretarit të Përgjithshëm dhe sipas rekomandimeve të Komisionit Vlerësues, i cili gjatë tërë kohës ka qenë i monitoruar nga dy këshilltar të NATO-s, ekspert për prokurim dhe logjistikë”, ka thënë Shala.

Vlera prej 3.85 milion eurove, e paraparë për këtë aktivitet të prokurimit, do të deklarohet si kursim buxhetor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme