FSK vizitoi Komandën Mbështetëse të FARSH – njihen nga afër me misionin dhe strukturën organizative

Prishtinë | 18 Qer 2026 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), një delegacion i Gardës Kombëtare dhe Komandës së Logjistikës së FSK-së, kryesuar nga zëvendës Komandanti i Komandës së Logjistikës, Kolonel Valdet Berisha, realizuan vizitë zyrtare në Komandën Mbështetëse dhe strukturat vartëse të saj në FARSH.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se gjatë vizitës, delegacioni u prit nga Komandanti i Komandës Mbështetëse, Gjeneral Brigade Aleksandër Pando dhe stafi i tij, ku u zhvilluan takime profesionale të fokusuara në fushën e logjistikës, trajnimeve dhe emergjencave civile.

“Delegacioni pati mundësinë të njihet nga afër me misionin, strukturën organizative dhe kapacitetet e Komandës Mbështetëse, si dhe të vizitojë kapacitetet logjistike dhe ato të emergjencave civile, duke u informuar në detaje mbi organizimin, pajisjet dhe procedurat që përdoren në mbështetje të operacioneve ushtarake dhe menaxhimit të situatave emergjente”, thuhet në njoftim.

Tutje siç thuhet në njoftim, takimet u karakterizuan nga shkëmbimi i përvojave profesionale dhe diskutimet për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në logjistikë dhe Emergjenca Civile, trajnime dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale.

“Vizita u zhvillua në frymën e partneritetit dhe besimit të ndërsjellë, duke kontribuar në rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme