Funksionalizimi 24-orësh i shërbimit të kardiokirurgjisë me kardiologji invazive, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare ë Kosovës, ka bërë që vëllimi i punës të rritet dukshëm dhe të shënohen rezultatet që kanë reduktuar listat e pritjes.
Sipas një komunikate nga QKUK, në Shërbimin e Kardiologjisë Invazive, këtë vit janë realizuar 890 koronarografi, 490 procedura intervente-stentime. Intervenimi është realizuar edhe tek 312 pacientë në fazën akute të infarktit të miokardit, transmeton Ekonomia Online.
Lista e pritjes për koronarografi nga 1052 pacientë, sa ka qenë para funksionalizimit 24-orësh, ka zbritur në më pak se 500, ndërkohë që prej javës së ardhshme fillojnë të ftohen pacientët që kanë bërë terminet si raste jo emergjente gjatë vitit 2018. Ndërkohë, nga 102 pacientë që ishin në listë për stentim, tani janë në pritje 60 pacientë.
Gjatë këtij viti në shërbimin e kardiokirurgjisë janë kryer 80 operime, ndërkohë nga fillimi i punës së menanxhmentit të ri, 100 operimet e para elektive (jo urgjente) pa vdekje, 0% mortalitet.
Lista e pritjes nga 406 pacientë, me pritje nga viti 2015, është reduktuar, tani janë në pritje 120 pacientë, nga janari i këtij viti (2018).
Nga puna e kryer në kardiokirurgji dhe kardiologji invazive në QKUK, janë kursyer 3 milion euro që më parë shkonin për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Po bëhen përgatitje intenzive për hapjen e sallës së dytë operative në kardiokirurgji e cila do të ndodhë së shpejti, krahas kësaj, hapet edhe salla e dytë e mjekimit intensiv me katër shtretër.
Janë duke u bërë përgatitje intensive për hapjen e sallës së dytë të kateterizimit ( angiografi- koronarografi i ri) funksionalizimi i saj pritet brenda dy muajve të ardhshëm.
“Menaxhmenti po punon intensivisht që brenda këtij vitit të hiqet lista e pritjes për operime kardiokirurgjike, ashtu edhe për koronarografi e tentim”, thuhet në komunikatë.