Fushata për zgjedhjet e parakohshme do të nisë më 25 shtator, kanë thënë të hënën burime brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Data është mësuar, pasi presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar 6 tetorin si datë kur kosovarët do t’iu drejtohen kutive të votimit.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen si pasojë e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit, pas së cilës koalicioni qeverisës refuzoi të propozojë një mandatar të ri për formimin e Qeverisë. Kjo edhe për faktin se prej më shumë se një viti koalicioni e ka humbur shumicën në Kuvend. Kësisoj, më 22 gusht deputetët votuan pro shpërndarjes së legjislaturës së gjashtë, së cilës i takonin, shkruan sot “Koha Ditore”.
E tek të hënën kreu i shtetit e ka firmosur dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, i cili ka hyrë në fuqi menjëherë. Vetëm disa orë më vonë Presidenca ka konfirmuar datën e zgjedhjeve. Ajo është 6 tetori.
“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës sё Kosovës t’i ndërmarrë tё gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës sё Kosovës, nё përputhje me kёtё vendim dhe legjislacionin nё fuqi”, thuhet nё vendimin, tё cilin e ka nënshkruar presidenti Thaçi.