Fushë-Kosova nuk i lejon të premten tubimet në shkolla

Prishtinë | 11 Shk 2021 | 21:00 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës kanë marrë vendim që ditën e premte të mos e lejojnë asnjë parti politike të mbajë tubime elektorale në objektet shkollore.

Drejtori për Arsim, Islam Shabani thotë se kanë vendosur kështu me qëllim që të premten të bëhen gati për zgjedhjet që do të mbahen të dielën. Sipas tij, gjatë ditëve tjera e kanë lejuar mbajtjen e tubimeve në shkolla në fshatrat ku nuk ka hapësira tjera ku partitë politike do të mund të mbanin tubimet elektorale.

“I kemi anuluar për të premten se të dielën janë zgjedhjet dhe për nesër nuk ka takime në shkolla. Shkollat duhet të pastrohen. Janë lejuar tubimet në disa vende ku nuk ka lokale, ta zëmë në Henc i kam lejuar partitë që të mbajnë tubime në shkolla, edhe në Lismir edhe ku nuk ka lokale. Ato fshatra nuk kanë lokale dhe normalisht që qytetarët nuk munden të shkojnë 5 kilometra për ta takuar dikë. Prandaj, për ato vende i kemi lejuar, por jo në fshatrat ku ka lokale”, ka thënë Islam Shabani.

Drejtori për Arsim thotë se i kanë pasur disa kërkesa nga partitë politike që të mbajnë tubime elektorale në shkollat e fshatit Sllatinë dhe në Bardh, por që për të njëjtën arsye nuk i kanë lejuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme