Galeria Kombëtare prezanton këndin me punët e Shyqri Nimanit

Prishtinë | 05 Kor 2023 | 12:57 | Nga Ekonomia Online

Në nderim të veprës së artistit dhe profesorit Shyqri Nimani i cili ushtroi detyrën si drejtor i parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës për 10 vjet, GKK-ja prezanton për publikun këndin me punën e tij nga arkivi dhe koleksioni i saj.

Ai ndërroi jetë më 22 qershor të këtij viti, duke lënë pas vetes një bagazh të madh të punës së tij artistike.

“Shyqri Nimani u lind në vitin 1941, në Shkodër, Shqipëri. Nimani njihet si dizajneri i parë grafik, ai po ashtu është një ndër themeluesit e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës, Kosovë. Nimani diplomoi nga Akademia e Arteve Aplikative në Beograd, me 1967, në seksionin e librit. Ai i bëri studimet postdiplomike në vitin 1969 në të njëjtin universitet dhe vazhdoi hulumtimin e tij artistik në Japoni në periudhën 1976-78. Me 1979, ai u bë drejtori i parë i Galerisë Kombëtare të Kosovës, detyrë që e ushtroi për 10 vite. Përgjatë këtyre viteve kontribuoi në krijimin e koleksionit, arkivës dhe identitetin vizual të GKK-së apo siç njihej në atë kohë si Galeria e Prishtinës”, thuhet në përkujtimin e galerisë.

Artdashësit e interesuar për ta parë këndin me punët e Nimanit, mund ta bëjnë atë nga e marta në të premten nga ora 10:00 deri në orën 18:00 dhe nga e shtuna në të dielën nga ora 10:00 deri në orën 17:00.

Të ngjashme